Pas dy muajsh nga zgjedhjet e fundit parlamentare, Kosova do të shkojë përsëri drejt zgjedhjeve, kësaj radhe shkak u bë dështimi i Kuvendit për të zgjedhur brenda afateve kushtetuese presidentin e ri të Republikës. Shpërndarja e parlamentit dhe dekreti për zgjedhjet e reja parlamentare u njoftuan sot nga presidentja Vjosa Osmani në një konferencë për shtyp.  

Osmani tha se deputetët e Kuvendit kanë pasur në dispozicion 23 ditë për të zgjedhur presidentin e ri dhe se dështimi i mbrëmjes së djeshme ishte i mirëkalkuluar. Ajo tha se Kosovën përsëri në zgjedhje e çuan njerëz të papërgjegjshëm dhe me qëllime të rrezikshme.

“Kam vendosur të shpërndaj kuvendin dhe të shpall zgjedhjet e reja. Qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje, këtë e ka krijuar dështimi i kuvendit. Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”, tha Vjosa Osmani.

Mbrëmja e djeshme ka qenë afati i fundit kushtetues i Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur presidentin e ri. Mirëpo, në sallë të pranishëm nuk ishte as pakica e nevojshme, pra 80 deputetë për të votuar zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, pasi opozita e braktisi sallën.

Dje i vetmi propozim për zgjedhjen si president ishte Glauk Konjufca i partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje. Por, për të pasur garë duhet të paktën 2 propozime. Në këto kushte, presidentja Osmani solli në Kuvend propozimin për ndryshime në Kushtetutë, duke kërkuar që zgjedhja e presidentit të Republikës të bëhej me votat e popullit dhe jo të parlamentit. Ndryshimet e propozuar nga Vjosa Osmani nuk u votuan në Kuvend dhe LVV në momentin e fundit doli me kandidaturën e dytë, Fatmire Kollçaku – Mullhaxha.

Votimi nuk u krye pasi në kuvend nuk ndodheshin as 80 deputetë. Në sallën e parlamentit ishin të pranishëm vetëm 66 deputetët e shumicës parlamentare. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk pati rrugëdalje tjetër vetëm se të ndërpriste seancën në mungesë të kuorumit. Pas mbylljes së seancës, kryetarja e Kuvendi Albulena Haxhiu i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesë për t’i pezulluar afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:07
‘Qytetarët s’kanë nevojë për vonesa të reja’, presidentja Osmani: S’kam qenë kurrë më krenare sesa për këtë vendim

Gjatë deklaratës për shtyp, presidentja Vjosa Osmani tha se qytetarët s’kanë nevojë për vonesa, por për politikë që s’i trembet përgjegjësisë. Osmani theksoi se është e vetëdijshme që dekreti mund të kundërshtohet në Gjykatën Kushtetuese, por “s’ka qenë kurrë më krenare” për një vendim.

“Pyetja nuk është nëse do të ketë zgjedhje. Pyetja e vetme është sa do të kenë sukses disa që t’i zvarrisin ato? Pra pyetja e vetme është kur është data e zgjedhjeve? Qytetarët s’kanë nevojë për vonesa të reja. Kanë nevojë të dëgjohet qartë zëri i tyre. Kanë nevojë për qartësi, institucione që funksionojnë dhe jo që janë në funksion të zvarritjes. Kanë nevojë për një politikë që nuk frikësohet nga përgjegjësia. Jam plotësisht e vetëdijshme se ky dekret mund të kundërshtohet në Gjykatën Kushtetuese dhe dua ta them hapur: kurrë s’kam qenë më krenare sesa për këtë vendim. Jam shumë e qetë të përballem me një kontestim për veprim në mbrojtje të Kushtetutës sesa për mosveprim kur rrezikohen themelet e saj sepse në një republikë kushtetuese përgjegjësia më e madhe është të qëndrosh në anën e Kushtetutës dhe interesit të republikës”, tha Osmani.

Ora 08:59
Amendamentet për zgjedhjen e Presidentit nga populli, Osmani: Nuk do të ndryshonte asgjë për pasardhësin, s’lidhej me rikandidimin tim

Lidhur me amendamentet e propozuara për zgjedhjen e presidentit nga populli, presidentja Vjosa Osmani sqaroi se nuk do të kishin asnjë efekt për pasardhësin e saj. Amendamentet, edhe nëse do të miratoheshin në seancën e së enjtes, do të krijonin mundësinë që në zgjedhjet presidenciale pas 5 vitesh, vullneti të vinte nga populli.

Osmani theksoi se kjo s’do të lidhej aspak me mundësinë për rikandidimin e saj për zgjedhje të reja të këtij momenti.

“Dua të ndalem gjithashtu te një debat që ka dominuar dje gjatë ditës. Dje kam dorëzuar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit drjetpërdrejt nga qytetarët. E kuptoj shumë mirë që kjo ka ngritur pyetje. Në një klimë politike të tensionuar, çdo veprim shihet me dyshim dhe çdo vendim interpretohet përtej asaj që mund të jetë e vërtetë. Dua të jem shumë e qartë me qytetarët e Kosovës, këto amendamente s’do të kishin asnjë efekt për zgjedhjen e presidentit që do të  duhej të zgjidhej deri mbrëmë, për pasardhësin e menjëhershëm të mandatit tim. Vetë amendamentet parashohin që procedura për zgjedhjen e presidentit nga populli duhet të fillojë 6 muaj para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Edhe sikur këto amendamente të miratoheshin mbrëmë, s’do të ndryshonin asgjë për zgjedhjen e pasardhësit tim. Pas 5 vitesh do të krijohej mundësia për zgjedhje të drejtpërdrejtë nga populli dhe jo tani, s’ka pasur fare të bëjë me mundësinë që unë të rikandidoj për zgjedhje të reja tani. Këto amendamente s’janë hartuar nga unë, janë hartuar nga komisioni kushtetues i vitit 2011. Çdo ndryshim do të nënkuptonte që të riktheheshin përsëri në Gjykatën Kushtetuese”, tha Osmani.

Ora 08:55
Osmani: Kosovën e sollën këtu njerëz të papërgjegjshëm me qëllime të rrezikshme, Kuvendi ka dështuar të zgjedhë presidentin

Vjosa Osmani ka deklaruar se Kosova do të shkojë përsëri në zgjedhje parlamentare pas dështimit të zgjedhjes së presidentit. Parlamenti është shpërndarë pasi ligjvënësit dështuan deri mbrëmë në mesnatë për të zgjedhur presidentin e ri të republikës së Kosovës.

“Mbrëmë përpjekjet dështuan. Ky nuk ishte rastësi, as i pamenduar, përkundrazi shumë mirë i kalkuluar dhe i ideuar për fat të keq. Neni 86 presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 dit përpara përfundimit të mandatit. Mandati im përfundon më 4 prill. Kjo d.m.th. që 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues, ky afat ka skaduar mbrëmë në mesnatë. Nuk kemi të bëjmë me një debat politik por me një akt të qartë kushtetues. Deputet e kuvendit kanë pasur në dispozicion 23 ditë për të kryer këtë detyrë. Ata vendosën që mos ta bëjnë dhe ky është realiteti që po përballemi sot.  Kam vendosur të shpërndaj kuvendin dhe të shpall zgjedhjet e reja. Qytetarët nuk kanë dashur zgjedhje, këtë e ka krijuar dështimi i kuvendit. Këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”, tha Vjosa Osmani.