KIEV- Parlamenti i Ukrainës ka votuar sot pro gjykimit të Presidentit të shkarkuar dhe të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Gjykata e Hagës për akuzën "krime të rënda" të kryera gjatë protestave të dhunshme anti-qeveritare ku u vranë gati 100 persona dhe rreth 500 të tjerë u plagosën. 

Përveç ish-Presidentit, nga Gjykata e Hagës do të gjykohet edhe ish-ministri i Brendshëm, Vitaly Zakharchenko dhe ish-prokurori e Përgjithshëm, Viktor Pshonka, edhe këto për krime kundër njerëzimit. 

Ish-presidenti Viktor Janukoviç u shkarkua ditën e shtunë dhe parlamenti vendosi hetimin e tij për akuzën “vrasjes në masë”.  Janukoviç aktualisht është shpallur në këkrim ndërkomëbëtar pasi ai është arratisur edhe nga banesa e tij në qytetin ku gëzonte më shumë mbështetje. 

Në zgjedhjet e parakohshme presidenciale të caktuara të mbahen në datë 25 maj, një nga liderët e opozitës, ish-kampioni i boksit, Vitali Klitschko ka konfirmaur se do të kandidojë për postin e Presidentit. 

Ndërkohë gjatë takimit të ditës së hënë me presidentin e përkohshëm ukrainas, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Catherine Ashton shprehu mbështetjen e BE-së për vendimet e marra nga parlamenti ukrainas dhe të ardhmen e vendit. Sipas saj, është shumë e rëndësishme të dërgohet një mesazh i qartë për integritetin dhe pavarësinë e Ukrainës. Baronesha Ashton shtoi se qeveria e re duhet të hartojë sa më shpejt një plan për nxjerrë vendin nga kriza ekonomike.
 
Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)