Ben Andoni: Parlamenti ynë të kujton se jemi në një 'Franken-shtet'

Ben Andoni: Parlamenti ynë të kujton se jemi në një 'Franken-shtet'

Kuvendi i Shqipërisë

Nëse do mendonim se kundërshtitë, fjalimet, shkëmbimi i shëmtuar i batutave të pafundme mes parlamentarëve shqiptarë kapën fundin me shtesën e legjislacionit të shkuar, jemi gabuar paq. Pak javë më pas, ky legjislacion ka bërë qysh tani vendin e tij të veçantë në historinë e parlamentarizmit shqiptar me nivelin e diskutimeve konstruktive, ofendimeve, batutave, që është e tepërt t’i përmendim. Sintaksat e shkëmbyera mes Rama-Bashës janë shpesh poshtëruese për njëri-tjetrin por më shqetësuese është se këta i drejtohen gjërave hipotetike, sikur vendi të jetë thjesht në dorë të humorit bajat që shkëmbejnë mesvete. Duket sikur jemi në një paradoks, sepse Rama e përqesh Bashën me cinizmin e tij të skajshëm dhe aspak normal me problemet e brendshme me z. Berisha; Basha e akuzon kryeministrin për lidhje me Berishën; kurse ky i fundit i nëpërkëmb të dy dhe i kërcënon po paq të dy. Ju erdha aty!-duket sikur shprehet nga “Foltoret” mbushur me patetikë, militantë dhe të zhgënjyerit në kor të Bashës. Ndërkohë që në parlament, hakërrimet dhe skenat tejet seksiste, ofenduese dhe mbi të gjitha nivelin e dobët të diskutimeve e shikon në çdo moment. Të tjerët, që janë jashtë këtyre emrave, vendosur në rreshtat e mëposhtëm e plotësojnë kuadrin me një fjalor, që do e kishin zili rravgimet nokturne të pijanikëve në klubet e lagjeve të humbura.

Duket se sëmundja është më e thellë dhe nuk lidhet më me sistemet tona zgjedhore që pjellin këta ligjvënës, por më shumë me aftësinë e Evropës së Lindjes për ta përthithur demokracinë.

Në një përpjekje për të shpjeguar këtë imitim të shëmtuar të demokracisë perëndimore, Ivan Krastev dhe Stephen Holmes mendojnë se kemi një lloj gjendje që ata e etiketojnë si “frankenstate”, duke e imituar tejet shëmtuar Perëndimin. Rasti që kanë marrë si shembull më domethënës është rasti i Hungarisë. Për këtë kanë thirrur si kujtesë emra të njohur të sociologjisë dhe politologjisë por më shumë se kaq kanë bërë një abstragim të bukur me një metaforë letrare për figurën e Frankenshtajnit.

Sociologu amerikan Kim Scheppele, shkruajnë Krastev dhe Holmes, pa e shtyrë shumë larg analogjinë, e përshkruan Hungarinë e sotme (e kryesuar nga një tjetër Viktor (Orban) ironizojnë me emrin e Frankenshtajn) si një “shtet Franken” – domethënë një mutant joliberal i përbërë nga elementë të bashkuar veç në mënyrë gjeniale prej demokracive liberale perëndimore. Dhe, sot, të gjithë e dimë se: “Kryeministri Viktor Orbán ia ka dalë të shkatërrojë demokracinë liberale duke zbatuar një politikë të zgjuar të imitimit të pjesshëm të BE. Kur Bashkimi Evropian kritikon qeverinë Orban për karakterin joliberal të reformave, sak ajo qeveri menjëherë do vendosi në dukje se çdo ndryshim ligjor, rregull ose institucion i diskutueshëm është kopjuar besnikërisht nga sistemi ligjor i ndonjërit prej shteteve anëtare të BE-së syresh. Prandaj, nuk duhet të jetë befasi që shumë liberalë perëndimorë i shohin regjimet politike në Hungari dhe Poloni me të njëjtin ‘tmerr dhe neveri’ që e ngërtheu zemrën e Victor Frankenstein kur pa krijesën e tij”.

Me shumë gjasa, kështu duhet të shikohet dhe Shqipëria si dhe njerëzit që ia bëjnë ligjet asaj. Në çdo moment në Kuvend përdoret demokracia, citate gjysmake mendimtarësh, përdoret BE-ja dhe këshillat e saj apo sistemi jonë qeverisës që bëhet me recetimin e BE-së, por më shumë se kaq na i rrëfejnë këta deputetë që zgjidhen për të bërë ligjet e vendit tonë. A është e sikletshme kjo krijesë, që tashmë kemi ngritur në demokraci? Nuk është e tillë, është më keq. Ajo është e frikshme me atë nivel ligjërimi publik. Që do të thotë, ne tashmë duhet t’i shmangemi dhe retorikës së ligjvënësve tanë. Kjo është e dhimbshme, por kur dëgjon ato që nxjerrin në ligjërim, duke përdorur shkolla, universitete atëherë tmerrohesh. Nëse një pjellë të tillë e bëjnë universitetet, shkollat, kinse Familjet e Mëdha tek ne, atëherë duhet me pas frikë tashmë edhe nga parlamenti ynë: për nivelin, humbjen e kohës që na e bëjnë dhe më shumë se çdo gjë…ekzistencën e tij. Po mbase ku ta dish, edhe ne duhet të mësohemi se jemi realisht në ndonjë “Franken-Shtet”?! (Javanews)

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Magjia e Krishtlindjeve, qindra njerëz shijojnë koncertin festiv në sheshin 'Skënderbej'

Magjia e Krishtlindjeve, qindra njerëz shijojnë koncertin festiv në sheshin 'Skënderbej'