Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Kuvendit, i cili refuzoi ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare për kontratat e investimeve në infrastrukturën rrugore dhe për kontrollin e ligjshmërisë së funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).
Kërkesa mban firmat e 46 deputetëve të opozitës dhe argumenton në detaje shkeljet kushtetuese që, sipas saj, ka kryer Kuvendi duke mos pranuar ngritjen e mekanizmit kryesor parlamentar për transparencë dhe llogaridhënie, siç janë komisionet hetimore.
Kërkesa kryesore e PD është zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës mes deputetëve dhe Kuvendit dhe shpalljen e vendimeve lidhur me mosngritjen e komisioneve të kërkuara, si “të papajtueshme” me Kushtetutën.
Si një nga pretendimet kyçe të PD, “Kuvendi ka vendosur mosngritjen e dy Komisioneve Hetimore, pa dhënë asnjë argument.”
Sipas deputetëve, mazhoranca ka penguar ushtrimin e kompetencës kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore, si dhe ka cenuar pushtetin e pakicës parlamentare.
Ata nënvizojnë se hetimi i përmbahet funksionit të pushtetit legjislativ pa ndërhyrë në kompetencat e të tjerëve. Sipas tyre, për të dyja çështjet “ekzistojnë të dhëna dhe indicie të mjaftueshme që dëshmojnë për një veprimtari që cenon interesin publik.”
Gjithashtu, kërkojnë edhe përshpejtimin e shqyrtimit të çështjes duke u bazuar te interesi publik.
Lajm në përditësim...
Kërkesa e PD për Gjykatën Kushtetuese
Komente









