Tedi Blushi i Partisë së Lirisë ka publikuar një fotografi me përfaqësues të kësaj force politike gjatë homazheve te Varrezat e Dëshmorëve, me rastin e 82-vjetorit të Çlirimit. Blushi e ka shfrytëzuar mesazhin për 29 Nëntorin edhe për të sulmuar qeverinë, duke e cilësuar atë si një “juntë policore dhe sorosiane”. Ai u ka bërë thirrje të rinjve që të frymëzohen nga sakrifica e dëshmorëve për të çliruar vendin nga ajo që ai e quan uzurpim.

Mesazhi i plotë i Tedi Blushit:

U përulëm sot me respektin dhe nderimin më të thellë për gjakun e derdhur për lirinë e Shqipërisë.

Respekt ndaj heronjve dhe dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, por edhe ndaj familjeve të veteranëve të Luftës Antifashiste, të cilët trashëgojnë brez pas brezi vlerat e kësaj lufte, e sidomos mbrojtjen e lirisë me çdo çmim e sakrificë.

Pa sakrificat më sublime nuk ka liri.

Ndaj, kjo ditë dhe mesazhi i kësaj dite, uroj të vijojë të frymëzojë të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë për çlirimin e Shqipërisë nga një juntë policore, nga një juntë sorosiane, e cila ka uzurpuar vendin dhe prej së cilës duhet të çlirohemi me çdo çmim dhe me çdo sakrificë.

Mirënjohje për të gjithë të rinjtë dhe të rejat që derdhën gjakun për lirinë e Shqipërisë.

Mirënjohje për të gjithë heronjtë dhe dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Faleminderit!


Lajmi kryesor:

82-vjetori i Çlirimit/ Krerët e shtetit homazhe te Varrezat e Dëshmorëve! Opozita sërish e përçarë, PD s’e njeh 29 nëntorin, PL nderime (VIDEO)