Qeveria po krijon një agjenci të re e cila do të jetë përgjegjëse për të kontrolluar nëse zyrtarët shtetërorë abuzojnë me personat që janë në burgje, apo në shërbim prove. Ndonëse iniciativa premton më shumë siguri për të burgosurit, për Partinë e Lirisë është “një shkelje në kallo”.

Nga Komisioni i Ligjeve, Tedi Blushi tha se projekti është propagandë, dhe nuk ka asnjë lidhje në terren me standardet e premtuara evropiane.

“Në rastin e Z. Meta, trajtimi denigrues vijon edhe sa i përket faktit që atij i mohohet edhe e drejta për të dalë në ajrim dy herë në ditë, sikundër u mundësohet dhe i jepet kjo e drejtë të gjithë të paraburgosurve të tjerë. Pra, përse ky trajtim kriminal ndaj ish-Presidentit të Republikës?”, tha Blushi.

Përmes rrjeteve sociale, Ilir Meta nga qelia, bëri disa pyetje specifike duke ngritur dyshime mbi trajtimin e individëve në burgje.

“Sa orë energji elektrike ka realisht në këtë burg të sigurisë së lartë dhe sa shpesh ndërpriten “dritat”? Sa orë ujë kanë të paraburgosurit dhe të burgosurit? Pse u shkatërrua edhe i vetmi mjet argëtimi, një fushë volejbolli? Le t’i pyesin gardianët: sa janë pagat e tyre reale? A u paguhen orët jashtë orarit? A marrin ushqimin që u takon me ligj? A kanë marrë shpërblim në fund të vitit? A marrin trajtimin shëndetësor të duhur të paraburgosurit dhe të burgosurit që vuajnë nga sëmundje të ndryshme? Dhe pse dhjetëra qytetarë kanë humbur jetën në burgjet e Shqipërisë?”, shkruan Meta.

Ilir Meta i bazon ankesat e tij mbi një raport që Avokati i Popullit ka dhënë në favor të tij, si dhe nënvizon se Burgjet nuk kanë lejuar që ai të takohet me dy deputetë të opozitës.