Partia e Lirisë përmes këshilltarit të saj në Bashkinë e Tiranës, Artan Distafa, tha se situata e ndotjes në kryqytet është alarmante, me një problematikë ende të pazgjidhur të kanalizimeve sipas tij, dhe me inceneratorin që ekziston vetëm në letra.

“Ndërsa propaganda e gënjeshtërt e narkopushtetit flet për “Tiranën europiane” të gjëlbërt, realiteti i kryeqytetit është krejt tjetër, një Tiranë e përmbytur nga plehrat dhe ku vit pas viti shtohen humbjet e jetëve dhe rrezikohet gjithmonë e më shumë shëndeti i qytetarëve për shkak të ajrit të ndotur tej normave të OBSH.

Sipas një investigimi mediatik të publikuar së fundmi, tregohet qartë se projekti për trajtimin e ujërave të ndotura të Lanës u ndërpre nga vetë institucionet e shtetit kur ishte rreth 70% i përfunduar, duke humbur  miliona euro dhe duke lënë Tiranën pa një zgjidhje për një problem elementar mjedisor.

Pra nga njëra anë kemi Lanën, që vazhdon të jetë një kanal i hapur ujërash të zeza në mes të kryeqytetit dhe nga ana tjetër kemi skandalin e inceneratorit të Tiranës, që nuk ekziston, por që vazhdon të gllabërojë miliona euro nga taksat e qytetarëve, jo pak por 90 mijë euro/dita.

Një projekt për të pastruar ujërat e ndotura të qytetit ndalet në mes të rrugës, ndërsa një incenerator fantazmë paguhet çdo vit me paratë e shqiptarëve.

Kjo është tabloja e vërtetë e qeverisjes vendore të "Rilindjes" që për shkak të korrupsionit të përbindshëm e ka sot pas hekurave kryetarin e Bashkisë.

Në njërën anë ujërat e zeza që derdhen në mes të qytetit, në anën tjetër plehrat që vazhdojnë të grumbullohen dhe një incenerator që ekziston vetëm në letra.

Mungesa e investimeve dhe bllokimi i kontratës për ndërtimin e impiantit të Kasharit, e ka lënë sipas KLSH-së situatën e trajtimit të ujërave të ndotura në Tiranë në gjendje kritike, madje në kontrast edhe me mesataren e pjesës tjetër të vendit.

“Mungesa e një impianti aktiv në Tiranë përbën një rrezik mjedisor dhe shëndetësor, duke cënuar standardet europiane për qytetet me mbi 10,000 banorë, që kërkojnë 85% mbulim.

Ndërtimi dhe vënia në funksion e impiantit të Kasharit është “një emergjencë kombëtare”.

Kryeministri Edi Rama mburret me transforimimin e Tiranës, që sipas tij “prodhon më shumë arkitekturë se pjesa tjetër e Europës”. Megjithatë, në kontrast me zhvillimin vertikal, Tirana vazhdon të trashëgojë një rrjet të keqfinancuar kanalizimesh të ndërtuar gjatë viteve

Pra, ndërsa qytetarët përballen çdo ditë me ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës, pushteti ka ndërtuar një sistem ku paratë publike zhduken, ndërsa problemet mbeten po aty.

Ky është një model qeverisjeje ku propaganda ndërton fasada, ndërsa realiteti mbetet ndotja, korrupsioni dhe rreziku për shëndetin e qytetarëve.

Qytetarët e Tiranës meritojnë përgjigje.

Kush mban përgjegjësi për projektin e ndalur të Lanës?

Kush mban përgjegjësi për milionat që vazhdojnë të paguhen për inceneratorin që nuk ekziston?

Sepse sot Tirana po përballet me dy simbole të një qeverisjeje të dështuar:

Një lumë me ujëra të zeza dhe një incenerator fantazmë që gllabëron taksat e qytetarëve”, thuhet në deklaratën e Partisë së Lirisë.