Ndryshimet në ligji për sigurinë kibernetike që u miratuan këtë të enjte në këshillin e ministrave ashpërsojnë ndëshkimet dhe vendosin detyrime të reja për institucionet publike dhe private që administrojnë të dhëna sensitive.

Mosraportimi i sulmeve kibernetike apo neglizhimi i masave mbrojtëse mund t’u kushtojë operatorëve deri në 10 milionë lekë gjobë.

Operatorët do të duhet të vetëdeklarojnë masat teknike të sigurisë, si dhe të raportojnë mënyrën e administrimit të sistemeve të tyre, përfshirë vendndodhjen e infrastrukturës digjitale.

Ligji forcon rolin e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike. AKSK do të marrë kompetenca të reja, duke përfshirë mbrojtjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe grupeve vulnerabël në hapësirën kibernetike.

Për herë të parë, AKSK do të pajiset edhe me atributet e Policisë Gjyqësore për hetimin teknik të incidenteve kibernetike, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.