Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, akuzon qeverinë se po e paraqet si lehtësim për qytetarët uljen e TVSH-së për ushqimet, një masë që sipas saj e ka refuzuar tri herë në Kuvend. Ajo thotw se kryeministri Rama ndryshoi qwndrim pas protestave tw studentwve, duke paralajmwruar se paketa e re fiskale do të sjellë 150 milionë euro taksa shtesë në vit.
Deklarata e plotë e Erisa Xhixhos:
"Të nderuar qytetarë!
Nuk ndalet zhvatja e qytetarëve dhe mashtrimi i tyre. Ulja e TVSH-së për ushqimet, një premtim mashtrim i bërë plot 13 vjet më parë, në 2013-n, u prezantohet shqiptarëve si një paketë lehtësuese, që do të sjellë uljen e çmimeve, por në fakt është thjesht gënjeshtra e radhës.
Qeveria e ka penguar tre herë propozimin e Partisë së Lirisë për uljen e TVSH-së së produkteve të shportës nga 20% në 5%. E kanë bërë qëllimisht, me forcën e kartonit, që ngrihet e ulet sipas urdhrave të Edi Ramës dhe kurrë sipas interesave të shqiptarëve.
Në fund të vitit 2017, kur diskutohej buxheti 2018, kemi propozuar që TVSH për ushqimet bazë të shportës të ulet nga 20 në 5%, një masë që do t’i vinte në ndihmë qytetarit. Propozimi u rrëzua me arrogancën e kartonave.
Në vitin 2022, pas krizës së pandemisë dhe rritjes së çmimeve që erdhi si pasojë e luftës në Ukrainë, Partia e Lirisë paraqiti paketa me kërkesa për të zbutur krizën e çmimeve.
Sërish u rrëzuan nga maxhoranca.Në fund të vitit 2025 propozuam sërish uljen e TVSH-së në 5% për 23 produkte ushqimore bazë të konsumit ditor dhe pezullimin e taksës së karburantit. Sërish u refuzua. Madje, në çdo komision ku u disktua iniciative, maxhoranca e cilësoi të pamenduar mirë propozimin tonë.
Ja ku jemi sot, kur qeveria sjell nje propozim që vetë e ka refuzuar 3 herë rresht. Ajo që secili mund të pyesë sot është: Pse u hodh poshtë në 2017? Pse u refuzua në 2022 dhe në 2025?
Ulja e TVSH-së për ushqimet është premtuar nga PS që në vitin 2013. Iu deshën 3 refuzime dhe plot 13 vjet që ta miratonin!
Ajo që kemi kërkuar prej 9 vitesh ishte që shqiptarët të paguanin për ushqimet bazë siç paguajnë fqinjët në Kosovë e Maqedoni. Rreth gjysma e të ardhurave të një familjeje shqiptare shkon për t’u ushqyer. Sot shqiptarët me pagat më të ulëta në Ballkan i blejnë ushqimet me cmime më të shtrenjta se ato të europianëve.
Ka një arsye pse merret ky vendim pikërisht tani. Sepse qeveria u tmerrua nga protesta e studentëve. Pasi urdhëroi dhunimin çnjerëzor të studentëve, Edi Rama u kujtua se edhe atë e pret fati i mikut të vet në Serbi, ndaj vendosi të bëjë sikur ka reflektuar.
Njësoj siç bën sa herë zihet ngushtë, Edi Rama propozon një paketë të re, që gjithmonë ka një hile pas. Ulja e TVSH për ushqimet është si fasadat shumëngjyrëshe të pallateve kur ishte kryetar bashkie, është propaganda që fsheh një realitet të hidhur.
Paketa e re fiskale e rrit barrën e taksave, që do të paguajnë qytetarët me plot 150 milionë euro në vit.
Përgjysmimi i pragut të TVSH-së për bizneset, rritja e tatim fitimit në 17 për qind, dyfishimi i dividentit, rritja e TVSH-së për turizmin do ta shtojnë barrën mbi qytetarët.
Goditja më e rëndë i jepet biznesit të vogël, me përgjysmimin e pragut nga 10 në 5 milionë lekë.
Shtrenjtimi i karburantit dhe shërbimeve si pasojë e rritjes së normës standarde të TVSH-së në 21% do të shtrenjtojnë çdo shërbim e produkt tjetër jo-ushqimor. Pra, shqiptarët nuk i pret asnjë lehtësim. Shqiptarët i pret një valë e re e rritjes së çmimeve, sepse qeveria po rëndon barrën mbi biznesin.
Një mashtrim i ri pasi shqiptarët janë rrjepur për 13 vjet me radhë! Shikoni trajektoren e hajdutërisë në këto 8 vjet."
Lajmi kryesor:
Qeveria mblidhet sot për miratimin e paketës fiskale dhe buxhetit 2027! Nga rritja e TVSH-së në 21%, te ndryshimet në tatimin për bizneset, si pritet të ndikojnë vendimet te shqiptarët







