Partia e Lirisë i bëri sot thirrje qeverisë të ulë barrën fiskalë mbi naftën, kostoja e lartë e së cilës është kthyer në një goditje të fortë për transportin publik.  Zëdhënasja Jasmira Memelli, kjsolli në kujtesë propozimin e PL-së për uljen e çmimit të naftës, që është rrëzuar nga mazhoranca dhe i bëri thirrje kësaj të fundit që ta rishikojë si vendim. 

Deklarata e plotë e Jasmina Memelli

"Nga 1 shtatori, qytetarët e Tiranes u përballën me një kosto tjetër të shtuar si pasojë e kokfortësisë së Edi Ramës për të mos ulur çmimin e naftës. Transporti publik ka reduktuar me 20–30% flotën e autobusëve në Tiranë.

Më pak autobusë do të thotë më shumë pritje, më shumë mbipopullim, më shumë trafik dhe mbi të gjitha më shumë kosto për qytetarët. Shkaku është kostoja e papërballueshme e karburantit, ndërsa qeveria vazhdon të rëndojë çmimin e naftës me taksa dhe të qëndrojë indiferente përballë krizës së transportit publik. Operatorët kanë kërkuar vazhdimin e kompensimit prej 50 lekësh për litër naftë, por qeveria nuk po jep një zgjidhje të qëndrueshme.

Edi Rama dhe qeveria e tij vazhdojnë të mbajnë shqiptarët nën një nga barrat më të larta fiskale mbi karburantet, ndërsa “Bordi i Transparencës” është kthyer në simbolin e një sistemi ku qytetari paguan shtrenjtë dhe qeveria bën sikur nuk ka përgjegjësi.
Qeveria mbledh taksat nga nafta, por nuk mbron as qytetarin, as fermerin, as biznesin dhe as transportin publik. Nafta shtrenjtohet, rriten kostot, reduktohen autobusët, rriten çmimet dhe qytetari paguan gjithmonë e më shumë.

Ky është modeli ekonomik ig qeverisë Rama, taksa mbi taksa dhe faturën gjithmonë te qytetari. Partia e Lirisë e ka dhënë zgjidhjen edhe në Parlament. Amendamenti i PL për uljen e çmimit të naftës u rrëzua nga mazhoranca me arrogancën e kartonëve.
Sot pasojat e asaj vote po i paguajnë shqiptarët. Prandaj, Partia e Lirisë i bën thirrje mazhorancës të rishikojë qëndrimin e saj dhe të votojë amendamentin e PL për uljen e çmimit të naftës. Nuk ka më justifikime!

Kërkojmë uljen urgjente të barrës fiskale mbi karburantin. Vazhdimin e kompensimit prej 50 lekësh për litër për operatorët e transportit publik. Një skemë të qëndrueshme mbështetjeje për transportin publik. Garantimin e shërbimit me kapacitet të plotë.
Transparencë të plotë mbi taksat që shteti mbledh nga nafta dhe përdorimin e tyre.

Tirana ka nevojë për më shumë autobusë, jo më pak. Shqiptarët kanë nevojë për naftë më të përballueshme, jo taksa më të larta. Ekonomia ka nevojë për ulje kostosh, jo për një qeveri që i rrit ato. Partia e Lirisë e dha zgjidhjen në Parlament. Mazhoranca zgjodhi të bindej verbërisht për të mos e votuar, pa marë parasysh pasojat qe do të kishte tek qytetaret dhe qytetarët tanimë po paguajnë faturën.

Mjaft me propagandën! Mjaft me taksat mbi taksat! Mjaft me faturën që i kalon gjithmonë qytetarit! Mazhoranca duhet të rishikojë votën e saj dhe të votojë amendamentin e Partisë së Lirisë për uljen e çmimit të naftës. Shqipëria ka nevojë për politika që ulin koston e jetesës, jo për një qeveri që e shtrenjton atë çdo ditë" tha ajo. 

Reagimi vjen pasi transporti publik është rikthyer me kapacitet të plotë, ndërsa operatorët e sektorit pritet të përfitojnë edhe një subvencion për një periudhë tre mujore nga shteti