Partia e Lirisë ka uruar sot të gjithë besimtarët ortodoksë për festën e Pashkës, duke përcjellë mesazhe shprese dhe besimi.

Në urimin e tij nga burgu, Ilir Meta thekson simbolikën e kësaj feste si triumf i jetës dhe i shpresës mbi errësirën.

“Krishti u ngjall! Vërtet u ngjall!… Ngjallja e Krishtit na kujton se, sado e fortë të duket e keqja, asgjë nuk mund ta ndalë dritën dhe të mirën që të triumfojnë mbi errësirën”, shprehet ai.

Më tej, Meta ndalet edhe te mesazhi i faljes, duke cituar lutjen e Krishtit në Kryq: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë se ç’bëjnë!”, që sipas tij mbetet një mësim i përjetshëm për fuqinë e dashurisë mbi çdo të keqe.

Në një deklaratë publike, Sekretari i Përgjithshëm, Tedi Blushi, uroi për më shumë shëndet, paqe dhe begati në familjet shqiptare.

“Në emër të Partisë së Lirisë ju përcjellim urimet më të përzemërta… Gëzuar Pashkën, sa më shumë shëndet, mbarësi, lumturi, paqe dhe begati në familjet tuaja. E keqja mund të duket e pamposhtur, por drita dhe e mira do të triumfojnë”, tha ai.


Lajmi kryesor:

Shpresë e ripërtëritje, krerët e politikës urojnë besimtarët ortodoksë për Pashkë