Superliga shqiptare e futbollit është në përgatitje të raundit të 16-të. Të shtunën në "Arenën e Demave" të kryeqytetit, duke nisur nga ora 16:30 luhet ndeshja mes Partizanit dhe Flamurtarit.
Partizani ka pesë ndeshje pa humbje dhe dy fitore radhazi, ndërsa vlonjatët humbën sfidën e fundit kundër Dinamos 0-3 në Vlorë dhe klima në ekipin bregdetar nuk është shumë e qetë.
Në prag të ndeshjes për mediet folën trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja dhe portieri i të kuqve, Pano Qirko, që më herët ka mbajtur veshur edhe fanellën e vlonjatëve.
Trajneri Kërnaja tregoi se Partizani ka tre mungesa. Të kuqtë vijnë pas fitores në derbin kundër Tiranës.
"Flamurtari? Është një ekip për t'u vlerësuar. Sigurisht ka bërë mirë në këto javët e fundit, pavarësisht ndeshjes së fundit me Dinamon. Eshtë një ndeshje e vështirë, por besoj që çunat të gjithë në fushë do të japin maksimumin dhe do ta përballojmë me sukses.
Gjendja e Partizanit? Lojtarë të dëmtuar siç dihet tashmë përveç Prekës që vazhdon të jetë dëmtuar i është shtuar edhe Arafat Dumbia i cili u dëmtua në ndeshjen me Tiranën. Për shkak kartonash gjithashtu do të na mungoj edhe Ismaili", tha Kërnaja.
Portieri Pano Qirko vlerësoi sulmuesin e vlonjatëve, Erald Maksuti.
"Mendoj se ndeshjet gjithmonë janë të vështira. Besoj se Shqipëria ka sulmues të mirë. Sulmuesi Maksuti është lojtar i mirë, por nuk i druhem, sepse jam shumë i lumtur edhe me pjesën mbrojtëse të ekipit. Kemi bërë shumë ndeshje dhe kemi treguar që jemi solid. Mendoj se këtë përballje nuk kemi euforinë e ndedhjes derbi, jemi me këmbë në tokë dhe besoj se çdo gjë funksionon", tha Qirko.
Pas javës së 15-të, Partizani me 20 pikë mban vendin e gjashtë, ndërsa Flamurtari me 13 pikë mban pozitën e nëntë (të parafundit).
Komente








