Trajneri I Partizanit, Skënder Gega, është prononcuar sot në lidhje me derbin e së premtes kundër Tiranës. Numri 1 i pankinës së kuqe shprehet se kjo sfidë ka rëndësinë e saj, por projektin e klubit nuk do ta këmbente me fitoren në këtë sfidë. Gega gjithashtu preku edhe tema të tjera, por e nisi duke thënë se skuadra vjen pas një moment të mirë.
Rëndësia e derbit?
“Normal që derbi ka specifikat e veta dhe ka elemente pozitive e nëse e kalojmë me sukses patjetër që do të shihet në dy aspekte, si pikët ashtu dhe ndeshja direkte për të rritur besimin te lojtarët. Vijmë nga një moment i mirë që ka ardhur gradualisht dhe javën që kaloi besoj se kemi bërë diçka të mirë. Me ekipin po punojmë dhe është vetëm fillimi prandaj nuk jemi aty ku duhet dhe kemi nevojë për rritje e prandaj do të bëjmë edhe më mire.”
Ndryshimi mes trajnerit dhe futbollistit?
“Janë emocione më të mëdha pasi përgjegjësia është e madhe. Kur je futbollist i shkarkon emocionet dhe je vetë përgjegjës e i bën vetë zgjedhjet. Kur je trajner ke 25 lojtarë, staf dhe duhet të përgatisësh detajet e varet a e merr apo jo përgjigjen që do. Presioni është por edhe emocionet e ndryshme por duke parë në sy futbollistët ndahet e kaluara dhe emocionet dhe e presim ndeshjen me kënaqësi.”
Formacioni
“Kam 25 veta dhe kam aktivizuar edhe lojtarë të rinj e do të shoh. Është vështirë por është edhe mirë pasi kur fillon konkurrenca është mirë dhe futbollistët janë optimalë. Kam një dilemë të vogël por deri të premten do të shoh për të nxjerrë grupin më të mire.”
Tifozët
“Tifozët janë lojtari i 12 për ne dhe ishim me fat që në takimin me Flamurtarin ato ishin nxitës të mëdhenj pasi na mbështetën dhe mendoj se ua kthyem me të njëjtën monedhë. Edhe në derbi, edhe çdo ndeshje tjetër duhet të dimë mënyrën si luajmë dhe të bëjmë më të mirën. Mos të zgjedhimin ndeshjen me emocione por të bëjmë më të mirën si në sulm e mbrojtje.”
Hebaj
“Rubini ka luajtur 90 minuta në Kupë dhe nuk ka shfaqur asnjë shqetësim dhe ka pasur më parë shqetësime e nuk donim ta rrezikonim për dëmtime. Prandaj nuk ishte në pankinë. Të premten do të jetë i gatshëm dhe do të shohim si do të vendosim.”
Pritja te Partizani
“Në shtëpi ndihesh shumë mirë pasi kam ardhur që 18 vjeç dhe kam nisur karrierën. E kam provuar pa kushte dhe kam gjetur ambientin e duhur dhe Partizani ka histori të madhe. Fitoret e derbit, të shumë derbeve pasi janë bërë shumë. Është një lloj ngarkese pasi duhet të mbahet e njëjta gjë, por unë këtu jam për çdo ndeshje jo vetëm për derbin. Ne duhet të përmbushim objektivat dhe unë kam ardhur me mision për të çuar Partizanin aty ku duhet.”
Historia
“Historia është histori dhe është mirë kur i kthehesh por tashmë ka kaluar. Nëse fitojmë dhe bëjmë paraqitje të mirë lidhet nostalgjia me të sotmen, bëhet më e fortë dhe ka një pamje më të mirë. Derbi duhet të luhet dhe pastaj të fitohet. Duhet të luajmë mirë dhe të bëjmë gjithçka në 90 minuta. Të kemi fokus dhe mos të jemi emocional e nëse kemi më shumë kualitet se Tirana, duhet ta fitojmë derbin.”
Kalimi i momentit negativ i Tiranës?
“Nuk më tremb rritja e Tiranës pasi jemi më të ndërgjegjshëm për atë rritje. E njohim më mirë dhe pashë në ndeshjen me Skënderbeun, Tirana është një ekip me dëshirë që vrapon. E kam studiuar dhe këto ditë do të shohim detajet. Nuk na tremb por e respektojmë aq sa duhet dhe duhet të jemi në vendin e duhur e kohën e duhur.”
Derbi apo objektivat?
“Me gjithë respektin për tifozët, por edhe për çdo dashamirës është një punë që gatuhet sot dhe frytet nuk merren menjëherë. Nëse fitohet derbi është shumë mirë dhe ne këtë duam e unë nuk hyj te njerëzit që veçohen nga sportdashësit por, unë hyj te tifozët dhe dua të fitoj çdo ndeshje. Ndeshjen më të mirë unë e kam bërë kundër vëllait tim dhe kam dashur të fitoj, por kështu është futbolli. Objektivi është një projekt që duhet realizuar dhe tifozët duhet të shohin diçka afatgjate.”
Ndryshimi me të kaluarën
“Në atë kohë ka qenë numri më i madh. Nuk kishim drita, fishekzjarre dhe parulla e ndoshta muzika ishin të ndaluara. Nuk mund ta krahasosh pasi është si e bardha me të zezë. Për derbin diskutohej një javë pas pasi në atë jetë të zymtë, derbi u jepte shpresë.”
Kualiteti në skuadër
“Në javët e para nuk thuhet që jemi për kampionë por gjërat shihen javë pas jave. Shpresoj që në ndeshjen me Tiranën të shkojnë gjërat siç ne dëshirojmë dhe ideja për vendet e para përforcohet dhe shihet çdo ditë. Më intereson që kemi grup dhe që po sillet mirë brenda dhe jashtë fushe dhe është baza për një trajner që të punojë komod. Futbollistët po punojnë siç duhet edhe për jetën e tyre por edhe për të ardhmen e klubit.”
Ndryshimi me derbin e dikurshëm
“Të gjithë kemi qenë bio nga akademitë e klubeve ndërsa sot kemi mix me lojtarë nga jashtë por edhe nga brenda që nuk kanë lidhje me historinë e klubit. Fakti që po stërviten më mirë, janë korrektë dhe japin maksimumin besoj se kanë përgjegjësi dhe e njohin pasi është lehtë të dish e studiosh se çfarë ka ndodhur me Partizanin. Lidhja lojtarë-trajner duhet të funksionojë si familje.”
Paraardhësit që kanë fituar derbin
“Unë nuk kam komplekse as me “ish-at” pasi ata kanë status të veçantë dhe mund ta përdorin një humbje si dështim, por nuk ka dështim në futboll. Kur humbet duhet të ngrihesh. “Ish-at” kanë pasur problemet e tyre dhe unë nuk do t’i analizoj. Nëse fitojmë, shpresoj të bashkohen me kënaqësinë tone.”