TIRANË- Mbështetësit e tij pritën 24 orë, për t’u shfaqur të paktë në numër pranë banesës së ish kryeministrit Sali Berisha, në ditën e tij të dytë të arrestit në shtëpi.

Mbështetës, vetëm pak anëtarë të kryesisë dhe 2 nënkryetarët, qëndruan për disa orë në kafenetë pranë banesës së Berishës, në rrugën “Mustafa Matohiti.” Poshtë shtëpisë janë parë Albana Vokshi, Oerd Bylykbashi, Luçiano Boçi, Belind Këlliçi apo Enno Bozdo.

Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i Rithemelimit, Luçiano Boçi tha se betejën do ta vazhdojnë në rrugë e parlament, ndërsa masën arrest në shtëpi e quajti një vendim krejtësisht politik.

"Autorët e aferave sot janë jashtë hetimeve, jashtë hekurave. Denoncuesit janë në hetim, në masë arresti, arrestimi tyre nuk është juridik, është krejtësisht politik. Nuk është halli ynë ky sot, megjithëse transmetohet si tillë. Ë vërteta është krejt e përmbysur, do mundohemi ta transmetojmë dhe kundërshtojmë. Aksioni ynë vijon, s’do stepemi. E kemi kryetarin tonë. Mosbindja civile do jetë e fortë. Do dëshmohet edhe në kuvend me akte të forta nga deputetët e opozitës. Sot është sulmuar, jo Berisha, jo PD, por e gjithë shoqëria shqiptare", tha Boçi.

Të shtunën e 30 dhjetorit gjyqtarja Irena Gjoka vendosi arrest shtëpiak për  ish-kryeministrin Sali Berisha, pas një sërë përpjekjesh të tij për të zvarritur këtë proces. Komunikimin e masës nga oficerët e policisë, Berisha e priti po nga banesa e tij, ku do të ushtrohen kontrolle periodike nga policia për të parë nëse po respekton masën e arrestit apo jo.

I vënë në hetim nga SPAK për korrupsion pasiv në bashkëpunim për privatizimin e ish-kompleksit Partizani në territorin e të cilit dhëndri i tij Jamarbër Malltezi ndërtoi kulla, edhe ai në arrest shtëpiak, Sali Berisha, reagimin e tij të parë e pati vetëm pak orë pas arrestit në shtëpi. 

Ai e quajti hakmarrje të verbër politike, ndërsa në bllok pas tij sulm ndaj opozitës e quajtën edhe i biri Shkëlzen Berisha, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, por edhe Gazment Bardhi. Deri më tani asnjë reagim nuk ka ardhur nga PD zyrtare e Lulzim Bashës.