TIRANË, 8 Janar / ATSH - Nën drejtimin e trainerit Shpëtim Duro dhe stafit teknik, në ambientet e kompleksit sportiv "Tirana Internacional" në Pezë, janë zhvilluar edhe dy seanca stërvitore, me të cilat është bashkuar edhe përforcimi më i ri i skuadrës së Partizanit, fantazisti Dorian Bylykbashi.
Pasi është përshëndetur me stafin teknik dhe shokët e rinj të skuadrës, Bylykbashi ka nisur zyrtarisht aventurën e tij me 15 herë kampionët e vendit.
Pas stërvitjes së karakterit fizik në ambjentet e palestrës, grupi i futbollistëve i'u drejtua fushës së gjelbërt të kompleksit sportiv, ndërkohë që grupit i'u bashkua edhe sulmuesi Raçiç, i cili kishte munguar në seancat e fundit për arsye shëndetësore.
Zyra për shtyp e skuadrës njofton se grupi i lojtarëve ishte i plotë, dhe se trajneri Shpëtim Duro ka planifikuar ditën e sotme edhe një ndeshje kontrolli me të rinjtë e U-19 të drejtuar nga Genc Tomorri në kompleksin sportiv "Tirana Internacional" në Pezë.
/k.m//m.m/