GJERMANI- Pas 26 vjet kërkimesh shkencore, saktësisht 1 200 vjet pas vdekjes së Karlit të Madh, shkencëtarët bëjnë të ditur se eshtrat e varrosura në katedralen e Aachen-it në Gjermani, janë ashtu siç dyshohej, të perandorit të parë post-klasik perëndimor.
 
Ky ekip ka bërë të ditur po ashtu se perandori, i cili në Gjermani njihet si “Karl der Grosse”, e në Francë si “Charlemagne”, e që shquhej edhe si “Karli i Madh” ose “Karli i Gjatë”, në të vërtetë ishte edhe i madh edhe shumë i gjatë me shtat.
 
Mbetjet mortore që u gjetën në sarkofagun e artë të Karlit të Madh, i cili është hapur tinëzisht në vitin 1988, sipas shkencëtarëve i takojnë një burri shtatlartë, të dobët dhe të moshuar.
 
“Sipas rezultateve të vitit 1988 e deri më sot, mund të them se të gjitha gjetjet na çojnë se ky skelet është i Karlit të Madh”, ka thënë Frank Ruehli, profesor në Institutin e Anatomisë në Universitetin e Zurich-ut, që është pjesë e ekipit shkencor.
 
Karl i Madh, ishte mbret i frankëve (686-814), mbret i lombarëve (774-814), dhe perandor i kurorëzuar në perëndim nga Papa Leo III - që më vonë njihet si Perandoria e Shenjtë Romake.
 
Shkencëtarët thonë se ai ishte 60 ose 70 vjeç, kur vdiq në vitin 814.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)