TIRANE- Pas tre dështimeve të një pas njëshme, forcat e INUK dhe Policisë së Shtetit, kanë arritur të rrëzojnë rreth orës 15:30 objektin 5 katësh që ishte ngritur pa lejë, buzë rrugës së Elbasanit.

Godina i përkiste shtetasit Artur Nilani, i cili dy ditë më parë ka pretenduar se objekti është në proces legalizimi dhe nuk mund të kryhej asnjë veprim, deri në përfundim të këtij procesi.

Mirëpo, ky pretendim nuk është marrë parasysh nga forcat e INUK, të cilët më ndihmën e policisë kanë arritur të largojnë pronarët dhe të hyjnë në objektin 5 katësh, duke filluar të hapin vrima për instalimin e tritolit, me qëllim shëmbjen e objektit pa lejë. Forcat e INUK kanë punuar përgjatë natës dhe se mëngjesin e djeshëm filluan të instalojnë tritolin në vrimat e hapura. Për rrëzimin e objektit është dhënë tre herë urdhëri por në fakt, në të treja rastet është shoqëruar me të qeshura nga të pranishmit, pasi lënda eksplozive nuk ka shpërthyer.

Plasjet e dështuara
Tre herë ka dhënë urdhërin për zjarr shefi i komisariatit nr.1 në Tiranë, dhe në të gjitha rastet shpërthimi nuk është realizuar. Kjo si pasojë e një çarku të shkurtër elektrik dhe se 10 prej kapsollëve nuk kanë funksionuar. Pasi forcat e INUK dhe ato të xhenios kanë kryer riparimet e mundshme, sërisht urdhëri për rrëzimin e objektit 5 katësh ka dështuar. Në të treja rastet e ka dhënë urdhërin shefi i komisaritit nr.1 Artion Duka, ndërsa në provën e katër urdhërin për zjarr e ka dhënë vetë kryeinspektori Zyhdi Dajti, i cili pasi ka përfunduar numërimin mbrasht, ka aktivizuar dhe shpërthimin duke rrëzuar në tokë godinën 5 kate që ishte ndërtuar pa lejë, në afërsi të rrugës së Elbasanit. Për gjatë ditës së djeshme janë mbajtur të bllokuara 3 rrugë, në të cilat është lejuar kalimi i automjeteve vetëm në orët e vona të mesnatës së djeshme.

Pastrim inerteve
Pastrimi i inerteve është bërë nga INUK-u pasi vetë pronari i ndërtesës, Artur Nilani, nuk ka pranuar të pastrojë mbetjet, me pretendimin se nuk duhej prishur ndërtesa. Fill pas shembjes së goditës një eskavator i INUK dhe disa automjete kanë filluar të heqin pjesën e betonit të grumbulluar. Ky është objekti i katërt që INUK shemb, duke përdorur tritolin. Tre objekte të tjera janë shembur në Vlorë dhe Tiranë me të njëjtën mënyrë.


Shkrimi u publikua sot (06.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)