Tajlanda po vajton për princeshën Bajrakitiyabha, e cila ka vdekur në moshën 47-vjeçare pas tre vitesh e gjysmë në koma. Ajo ishte trashëgimtarja dhe kishte treguar tashmë aftësi për të marrë përgjegjësitë e kurorës në Universitetin Cornell në SHBA dhe gjatë punës në misionin e Tajlandës në Kombet e Bashkuara në Nju Jork.

Gjithmonë pranë babait të saj, mbretit Maha Vajiralongkorn (njëri nga katër fëmijët e Sirikit, mbretëreshës legjendare të viteve ’60, e ndarë nga jeta muaj më parë në moshën 93-vjeçare), princesha Bajrakitiyabha shpesh e shoqëronte sovranin tajlandez në ngjarje zyrtare. Ishte thuajse një provë e përgjithshme e trashëgimisë, derisa një problem kardiak gjatë stërvitjes me qentë e saj e bëri të humbiste ndjenjat. Që atëherë ra në koma nga e cila nuk u zgjua më. Tani do të mbahet funerali shtetëror dhe do të varroset në Piman Rattaya Throne Hall në Grand Palace.

Fillimi i një sëmundjeje të gjatë, që zgjati tre vjet e gjysmë dhe u përkeqësua një vit më parë kur pallati mbretëror njoftoi për infeksione dhe probleme në disa organe si pasojë e gjendjes së gjatë në koma. “Ekipi mjekësor siguroi trajtimet më intensive të mundshme, por gjendja e saj vazhdoi të përkeqësohej gradualisht”, tha pallati sot, duke njoftuar vdekjen e princeshës në orën 19:48 të së enjtes në spitalin Chulalongkorn. Mbreti i Tajlandës kishte besim të plotë tek ajo, deri në atë pikë sa në vitin 2021 i besoi edhe postin e kreut të zyrës së sigurisë personale me gradën gjeneral.

Mbreti sot është 73 vjeç dhe sipas traditës trashëgimia duhet t’i kalonte një burri, por ajo është ndryshuar në vitet ’70 për të lejuar edhe gratë të ngjiten në fron.

Vetë princesha e ndjerë, e lindur nga martesa e mbretit me kushërirën e tij, princeshën Soamsawali më 7 dhjetor 1978, kishte filluar të ngrinte çështjen e rolit më të madh të grave dhe ishte shprehur veçanërisht për reformimin e sistemit të burgjeve për të burgosurat.

E ndihmuan studimet në drejtësi, fillimisht në Thammasat University, më pas në Chicago dhe Cornell University në Nju Jork, si dhe përvoja të shumta në organizata ndërkombëtare. Ajo kishte qenë ambasadore në Austri nga viti 2012 deri në 2014 dhe aty kishte hyrë në kontakt me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), duke u bërë më pas ambasadore e UNODC për të gjithë Azinë Juglindore, ku punoi për reforma në sistemin gjyqësor të vendit të saj.

Tani në Tajlandë hapet çështja e trashëgimisë. Mbreti Maha Vajiralongkorn nuk është shprehur ende zyrtarisht. Ai ka pesë fëmijë, por katër prej tyre nga martesa e dytë jetojnë me nënën në SHBA. Në linjën e fronit mbetet djali i pestë Dipangkorn, më i riu me vetëm 21 vjeç, dhe për shkak të moshës së tij të re më parë ishte diskutuar edhe mundësia e një regjence.

Pas tij, në linjë për fronin është princesha Sirivannavari, e angazhuar sot si stiliste, e cila është frymëzuar nga gjyshja e saj, mbretëresha Sirikit, një figurë ikonike e viteve ’60, e cila ka ndërruar jetë muaj më parë./Corriere