Pas 8 vitesh, Gjirokastra pritet të gumëzhijë nga tingujt e folklorit të traditës sonë të bukur shqipe në kuadër të festivalit “Sofra e Trashëgimisë Shqiptare”.

Pak ditë para nisjes së tij, ministrja e Kulturës Elva Margariti ndau disa nga detajet e këtij Festivali i cili do të nisë më datën 24 qershor dhe do të mbarojë më 1 korrik. E ftuar në Studio Live me gazetarin e Report Tv, Arbër Hitaj, Margariti tha se do të jetë një kartolinë e bukur për Shqipërinë.

Ministrja tha se do të jenë rreth 1200 artistë shqiptarë e të huaj por edhe Arbëreshet që do mund të sjellin të veçantën dhe autentiken në javën dedikuar kulturës shqipe në Gjirokastër.

“Është një sipërmarrje e madhe në nivel ndërkombëtar jo vetëm kombëtar

Festivali patjetër është një kartolinë e bukur i Shqipërisë por do të jetë i shoqëruar me muzikën e bukur. E gjithë Gjirokastra do të gumëzhije për gjatë gjithë javës.

Fillon në datën 24 qershor dhe mbaron më datën 1 korrik. Në  finale do të ketë orkestra italiane. Kemi pothuajse 800 artistë nga Shqipëria 400 jashtë Shqipërisë. Por numri mund të jetë edhe më i madh.  

Në kala do të celebrojmë çdo gjë, me muzikën, repertorin e bukur që kemi ruajtur brez pas brezi. Ky do jetë një vit që nuk do të ketë çmime dhe kjo është mbështetur shumë.

Pjesa më e vështirë është logjistika. Por kemi mundësinë që të shkojnë paradite në bregdet dhe më pas të ndodhen në darkë në kala.”- tha Margarti në Report Tv

Ministrja u ndal edhe tek projekti i saj ‘E ardhmja është origjinë”, një ndër risitë e ministrisë së Kulturës.

“Unë në 2019 kur iu afrova ministrisë së Kulturës u ofrova që granatet që japim, të kishte një filozofi të përbashkët. Ashtu siç bëhet në bienale ka një tematikë dhe menduam që thirrja duhet të ishte kjo që vërtet jemi duke parë të ardhmen por në fund të ditës do duhet të ruajmë identitetin tonë.”- thotë ajo.

Kërcimi i Tropojës është dosja që Ministria e Kulturës është duke përgatitur për UNESCO-n. Margariti shtoi se është  gjithashtu pothuajse e realizuar dosja për Marubin.

“Kërcimi i Tropojës është dosja që ne jemi duke përpunuar për UNESCO. Kemi pothuajse të realizuar dosjen e Marubit si dukuri e trashëgimisë dhe memories botërore. “- tha Margariti.

Kujtojmë se edicioni i parë i këtij festivali ‘Sofra e Trashëgimisë Shqiptare’ është çelur në  11 tetor të vitit 1968 në qytetin muze të Gjirokastrës duke u konsideruar asokohe si një festival unikal në ruajtjen, mbrojtjen dhe popullarizimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore në Shqipëri.