Autorët që goditën me gurë efektivët e Policisë së Shtetit gjatë protestës para Kuvendit janë identifikuar dhe do të përballen me drejtësinë. Kështu deklaroi ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, pasi vizitoi në Spitalin e Traumës dy punonjësit e policisë që mbetën të plagosur në kokë gjatë përplasjes me protestuesit.
Sipas Lamallarit, gjendja e dy efektivëve është e stabilizuar, ndërsa ai paralajmëroi se personat përgjegjës për këtë sulm ndaj shtetit "do të marrin përgjigjen më shembullore që parashikon ligji".
“Kam një mesazh për të gjithë ata vandalë që guxuan të hedhin gurë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Janë identifikuar dhe do të vihen para drejtësisë menjëherë. Do të marrin përgjigjen më shembullore që parashikon ligji. Ky është një akt kriminal”, tha Lamallari.
Më herët, ministri reagoi edhe në rrjetet sociale, ku dënoi sulmet ndaj efektivëve të policisë dhe tha se tre punonjës mbetën të plagosur gjatë protestës. Ai e cilësoi sulmin ndaj tyre si sulm ndaj shtetit dhe rendit kushtetues, ndërsa uroi shërim të shpejtë për efektivët e lënduar.
“Dënoj me forcën më të madhe sulmet vandale dhe sjelljen kriminale ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, ku mbetën të plagosur tre efektivë, të cilët ishin në krye të detyrës. Efektivët e Policisë janë punonjës të shtetit, qytetarë të Republikës dhe familjarë si çdokush tjetër. Ata janë në shërbim të ligjit, të rendit publik dhe të sigurisë së çdo qytetari, pa dallim. Sulmi ndaj tyre është sulm ndaj shtetit dhe rendit kushtetues. Askush nuk ka të drejtë të abuzojë në emër të së drejtës kushtetuese për tubim dhe manifestim paqësor dhe ta shndërrojë atë në dhunë flagrante me gurë të hedhur ndaj punonjësve të Policisë. Secili prej tyre që sot ngriti dorën ndaj punonjësve të ligjit do të ketë të njëjtin fat si frymëzuesit e tyre me molotovë dje dhe që sot fshehën duart duke mos ardhur në parlament. Shoqërimi i tyre nga Policia e Shtetit është vetëm hapi i parë në rrugën pa kthim që ata kanë zgjedhur në përballjen me drejtësinë dhe forcën shembullore të ligjit" shkruajti ai.
Lajmi kryesor:
REAGIMET/ Rama: Protesta e atdhedashurisë ia ka lënë vendin filmit të vjetër të dhunës! Lamallari: Sulm ndaj shtetit! Gogu: Dhuna e papranueshme






