Autostrada Kashar–Rrogozhinë do të nisë të ndërtohet brenda këtij viti. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka miratuar projektin e zbatimit, një hap që i hap rrugë nisjes së procesit të shpronësimeve dhe më pas punimeve në terren.

Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Karakaçi tha se tashmë janë mbyllur edhe diskutimet për mënyrën e lidhjes së këtij segmenti me bypass-in e Tiranës, duke përfunduar detajet e projektit.

“ARRSH ka miratuar projektin e zbatimit që ka ardhur në ministri ditën e sotme dhe do të nisë menjëherë procesin e shpronësimeve, duke i hapur rrugë nisjes së punimeve brenda këtij viti”, u shpreh ministri.

Sipas tij, autostrada Kashar–Rrogozhinë është pjesë e Korridorit Blu dhe vijon aksin Thumanë–Kashar. Segmenti do të ketë një gjatësi prej 33.5 kilometrash dhe do të ndërtohet si autostradë e kategorisë A.

“Kashar-Rrogozhinë është pjesë e Korridorit Blu dhe vazhdimi i aksit Thumanë-Kashar. Me një gjatësi prej 33,5 kilometrash, kjo do të jetë autostradë e kategorisë A dhe do të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë veri–jug, duke ndihmuar në lehtësimin e trafikut në një prej akseve më të ngarkuara të vendit, Tiranë–Durrës. Ky është një projekt i rëndësishëm që, së bashku me kantierët që kemi hapur, si Bypass-i i Tiranës, Bypass-i i Elbasanit, Elbasan–Rrogozhinë, Elbasan–Qafë Thanë dhe autostrada Milot–Balldren, do të kontribuojë në modernizimin e infrastrukturës rrugore të vendit dhe do ta çojë një hap më tej lidhjen e Shqipërisë me rrjetin europian të transportit”, theksoi Karakaçi.

Sipas Karakaçit, këto investime synojnë modernizimin e infrastrukturës rrugore dhe përmirësimin e lidhjes së Shqipërisë me rrjetin europian të transportit.