Report TV dje ka ndjekur një problem të disa banorëve në Sarandë. Banorët e një pallati në rrugën Mitat Hoxha në Sarandë prej shumë kohësh kishin kërkuar ndihmë për heqjen e një kabulli elektrik që u rrezikonte jetën. Pa kaluar 24 orë nga transmetimi i kësaj kronike, ka reaguar zyra e OSHEE në Sarandë e cila ka bërë të mundur largimin e kabullit që rrezikonte jetën e banorëve.

Dje Report TV ka transmetuar një kronikë ku një qytetar nga Saranda prej disa kohësh kishte kërkuar ndihmën e elektrikut për një kabull të zbuluar i cili rrezikonte jetën e banorëve të pallatit. Në ankesën e tij qytetari Thimio Thoma thotë se ka shkuar disa herë në zyrat e OSHEE, por askush nuk ka marrë masa për heqjen e kabullit.

“Kablli është në dy pozicione i zhveshur dhe jam ankuar për këtë problem dy tri herë dhe nuk kam marrë asnjë lloj përgjigje. Siç po e shikoni kjo është një situatë shqetësusese për mua, për familjen time dhe për të gjithë pallatin. Tani vjen periudha e dimrit  dhe ndodhin shkarkesa elektrike  dhe siç po e shikoni se këtu ndodhet një gjendje shumë e vështirë.Bisedova me inxhinierin dhe më dha afat deri në fund të javës se kablli do të hiqet. Jam në pritje”-Ka shprehur shqetësimin  Thimoi Thoma dje për Report TV.

Por pas ankesës dhe transmetimit të kësaj kronike i menjëhershëm ka qenë reagimi i OSHEE në Sarandë. Punonjësit e këtij institucioni kanë shkuar dhe kanë hequr kabllin që rrezikonte jetën e banorëve në pallatin që ndodhet në rrugën "Mitat Hoxha" të Sarandës.

“Erdhën punonjësit nga elektriku, kabllin e hoqën, taraca tani është në rregull, nuk ka asnjë lloj kablli, dhe për këtë arsye unë falënderoj juve,  kanalin dhe të gjithë pjesëtarët e këtij kanali. Duhet një ndërhyrje nga ana juaj që të zgjidhen problemet në këtë vend. Shumë faleminderit!"- është shprehur ai.

Kabulli elektrik ishte fare pranë ballkonit të familjes Thoma ndërkohë që kjo familje kishte shkuar disa herë në zyrat e OSHEE për të kërkuar ndihmë, gjë të cilën nuk e kishte gjetur derisa rasti u bë publik në media.

VIDEO/ Pamje ku kablli i zhveshur elektrik rrezikonte jetën e banorëve në Sarandë

Redaksia Online
N.M/Shqiptarja.com