Pak ditë më parë Report Tv solli në vëmendje vështirësinë e të jetuarit të familjes Hyka në fshatin Godolesh të Elbasanit. Pas apelit për ndihmë drejt kësaj familje janë nisur edhe ndihmat e para, kryesisht në ushqime.

Shqetësuese mbetet shtëpia, pas transmetimit të kronikës, një pjesë e murit të shtëpisë është shembur. Deri tani asnjë ndihmë nuk është ofruar nga shteti për këtë familje.

Pas kronikës së transmetuar në Report Tv për gjendjen e mjeruar të familjes Hyka në fshatin Godolesh të Elbasanit, kanë mbërritur edhe ndihmat e para. Por ndërkohë gjatë këtyre ditëve një pjesë e murit është shembur dhe i moshuari 84 vjeçar Xhaferr Hyka tregon se si ka mundur ta rindërtojë dhe ta mbajë në këmbë çatinë.

“Pikoj muri dhe çatia nga reshjet më pas u rrëzua por e rregullova vet, nuk kisha rrugëzgjidhje tjetër, ishte ftohtë,” shpjegoi Xhaferr Hyka gjyshi i shtëpisë.

Në ndihmë të familjes ka mbërritur fondacioni “Fundjavë ndryshe” i cili ka siguruar një sasi ushqimesh dhe ilaçesh  për të moshuarit.

Koordinatori Orges Beti shprehet se gjendja e familjes është shumë e vështirë dhe se kanë mundur të sigurojnë  2 muaj ushqime për familjen dhe ilaçe për gjyshërit. Gjithashtu ndihma edhe për fëmijët. Por sipas tij kjo është e pamjaftueshme ndaj i ka bërë thirrje gjithë individëve dhe bizneseve të ndihmojnë sa të mundin për tu bërë bashkë për gjëra të mira.

“Pas apelit për ndihmë në Report Tv sot kemi ardhur në familjen Hyka, siç e shikon gjendja është shumë e mjerë. Ne si organizatë u munduam të sigurojmë të paktën ushqimin bazë për dy muajit e ardhshëm, ilaçe për dy gjyshërit por edhe për fëmijët se janë në kushte shumë të vështira.

Sigurisht kjo që bëmë nuk është e mjaftueshme por këto janë mundësitë që ne kemi, përfitoj nga rasti t’iu bëj apel të gjithë individëve dhe bizneseve të kontribuojnë për ti ndihmuar të varfrit, rasti i familjes Hyka është urgjent dhe kanë shumë nevojë të trajtohet në mënyrë të veçantë,”
thotë Orges Beti, koordinator i shoqatës “Fundjavë Ndryshe” për Elbasanin.

Familja Hyka ka falënderuar për ndihmat dhe sërish bën apel për këdo që ka mundësi që ti ndihmojnë sa të munden.

“Kemi bërë apel në televizion dhe tani erdhi organizata “Fundjavë Ndryshe” për të na ndihmuar, ishim në vështirësi të madhe, u rrëzua muri i shtëpisë për shkak të reshjeve, jetojmë në kushte shumë të vështira, kemi nevojë për ndihmë nga çdo person që ka mundësi,” shpjegoi djali i Xhafer Hykas.

“Faleminderit për ushqimet, siç e shikoni jetojmë në kushte shumë të vështira, bëjmë apel të na ndihmojnë se jemi pa shtëpi,” thotë njëra prej familjes.

Çdo ditë e më shumë shtëpia e familjes Hyka sa vjen e shembet, nga ana e shtetit deri tani nuk është konfirmuar asnjë mundësi ndihmë, qoftë edhe një strehë ku kjo familje mund të kalojë dimrin.

Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com