Të shtunën Report Tv solli historinë e trishtë të 23 vjeçares me dy fëmijët e vegjël, të cilët nga varfëria ekstreme ishin në mëshirë të fatit. Lufta e përditshme e Shkurte Imerit me jetën preku dhe solli reagimin e shoqërisë shqiptare. Dy ditë më pas, fondacioni “Dhuro Dashuri” iu bashkua misionit të Report Tv për të ndihmuar familjen Imeri.

“Jemi sot tek rasti i Shkurtes, falënderojmë televizionin Report Tv, në fakt kjo është gazetaria që kthehet në një mision për tu ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë duke ofruar tek ne këtë plagë të rënda të varfërisë në Shqipëri. Mas kronikës së parë njerëzit u ofruan për të dhënë ndihma, ndihma e sotme është kryesisht ushqimore.

Kam një thirrje për të gjithë njerëzit që na ndjekin nëpërmjet televizionit tuaj që të jenë më solidar për tu ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë, tha përfaqësuesi i organizatës “Dhuro Dashuri”.


Shkurtja me sytë e qeshur falenderoi të gjithë njerëzit që i sollën shpresën se gjërat mund të përmirësohen.

“Falenderoi Fondacionin “Dhuro Dashuri” për ndihmën e tyre, falënderoj ndihmën tuaj që mundësoni operonim e vajzës tek syri, me këtë rast i bëj thirrje kryeministrit të më ndihmoj me një banesë sepse vjehrra më ka thënë merr fëmijët dhe dil jashtë se do shitet shtëpia, unë nuk kam ku të shkoj,” tregoi Shkurtja.

Ndërkohë përveç ndihmës që dha fondacioni “Dhuro dashuri”, nesër Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza do të mundësojë konsultën për operacionin e syrit të Klevisës, vajzës së 23 vjeçares.

Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com