Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar heq nga faqja e saj Rregulloren e re që censuron mediat si dhe Komentarin mbi 500 faqësh, të hartuar nga kryetari në detyrë Erion Bani, një ditë pasi Report TV zbuloi faktin se publikimi i tyre ishte bërë duke shfrytëzuar hapësirën virtuale të një kompanie pjesësh këmbimi. Në faqe ato ekzistojnë tanimë vetëm si tituj dokumentesh por që nuk mund të hapen më. 

Report TV zbuloi se në linqet e të dy dokumentave, ( https://degertautoal-my.sharepoint.com/ personal/ leka_degertautoal_onmicrosoft_com/ _layouts/ 15/ onedrive.aspx? id...... ) binte në sy, në mënyrë të përsëritur, togfjalëshi “degertautoal’’.

Nga një kërkim i thjeshtë i fjalës “degertauto”, rezultonte se ky është emri i një kompanie që ka si aktivitet kryesor import dhe tregetim te makinerive, pajisjeve dhe pjeseve të këmbimit të mjeteve të transportit. 

Ekspertët e kontaktuar nga Report TV, shpjeguan se praktikisht, GJKKO-ja dhe kompania, ndanin të njëjtat hapësira virtuale të mbajtjes së materialeve.

Rregullorja e re ka hasur në kundërshtime të forta të komunitetit të gazetarëve, për shkak të kufizimeve dhe ndalime, që praktikisht e pamundësojnë mbulimin mediatik të proceseve gjyqësore në këtë Gjykatë. Prania e kamerave bëhet thuajse e pamundur, ndërsa gazetarëve, të cilët duhet të kërkojnë leje për ndjekjen e çdo seance, iu hiqet dhe përdorimi i telefonave celularë, si një mjet pune për transmetimin në kohë reale përmes mesazheve me tekst, të informacioneve nga seancat.

Federata Europiane e Gazetarëve në një reagim për Report Tv u shpreh se e konsideron Rregulloren, si regjimin më kufizues duke ngritur pyetjen nëse Gjykatat në Shqipëri kanë dicka për të fshehur. Ndërsa OSBE, PO analizon nga afër situatën dhe do të vlerësojë edhe nëse akti i hartuar nga kryetari në detyrë i GJKKO-së Erion Bani, është ose jo në përputhje me legjislacionin vendas në fuqi dhe angazhimet përkatëse të OSBE-së e standardet ndërkombëtare.