Pas 12 vitesh në pushtet, Aleksandar Vuçiç ka përfunduar në opozitë, por duket se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga retorika nacionaliste për Kosovën.
Ish-presidenti serb ka zgjedhur pikërisht këngën “Vidovdan” për të ngushëlluar veten dhe mbështetësit pas humbjes në zgjedhjet parlamentare, që i dhanë fund edhe 14 viteve të qeverisjes së Partisë Përparimtare Serbe.
Mbrëmjen e së premtes, Vuçiç mblodhi mbështetësit në qytetin e Sremska Mitrovicës, në rajonin e Vojvodinës, në veri të Serbisë, ku shpalli një kapitull të ri për Partinë Përparimtare Serbe (SNS), tashmë në rolin e asaj që ai e quajti “opozitë shtetformuese”.
Por më shumë se deklaratat politike, vëmendjen e mori momenti kur ish-presidenti dhe anëtarët e partisë, me dëshpërimin e qartë në sy, nisën të këndonin në karaoke këngën nacionaliste serbe “Vidovdan”, ndërsa ish-kryeministrja Ana Bërnabiç e përqafonte.
“Kudo që shkoj, te ti kthehem sërish; askush s'mund të ma heqë Kosovën nga shpirti”, këndoi Vuçiç, duke iu rikthyer një prej temave më të përdorura të politikës së tij: Kosovës.
Zgjedhjet mund t'ia kenë marrë pushtetin, por jo repertorin politik. Edhe pas humbjes, Vuçiç vazhdon t'i drejtohet elektoratit përmes simbolikës së Kosovës, një kartë që politika nacionaliste serbe e ka përdorur prej dekadash.
Kënga “Vidovdan”, e krijuar në vitin 1989 dhe e interpretuar nga Gordana Lazareviç, lidhet me Vidovdanin, ditën e Shën Vidit, që në kujtesën historike serbe përkujton Betejën e Kosovës të vitit 1389. Ajo u shndërrua në një simbol të nacionalizmit serb pikërisht në periudhën kur Sllobodan Millosheviçi po përdorte mitin e Kosovës për të mobilizuar mbështetjen politike.
Më 28 qershor 1989, në 600-vjetorin e Betejës së Kosovës, Millosheviçi mbajti në Gazimestan fjalimin e tij famëkeq, ku deklaroi:
“Gjashtë shekuj më vonë, tani, ne përsëri po përfshihemi në beteja dhe po përballemi me beteja. Nuk janë beteja të armatosura, edhe pse ende nuk mund të përjashtohen gjëra të tilla. Por, pavarësisht se çfarë betejash janë, ato nuk mund të fitohen pa vendosmëri, trimëri dhe sakrifica, pa cilësitë fisnike që ishin të pranishme këtu në fushën e Kosovës në ditët e kaluara. Beteja jonë kryesore tani ka të bëjë me zbatimin e prosperitetit ekonomik, politik, kulturor dhe të përgjithshëm shoqëror, duke gjetur një qasje më të shpejtë dhe më të suksesshme ndaj një qytetërimi në të cilin njerëzit do të jetojnë në shekullin e 21-të.".
Fjalimi, i mbajtur dy vjet përpara shpërthimit të luftërave që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë, u interpretua gjerësisht si paralajmërim i konflikteve të armatosura që do të pasonin në Ballkan.
Lidhja e Vuçiçit me atë periudhë nuk është vetëm simbolike. Ai e nisi karrierën politike në Partinë Radikale Serbe të Vojisllav Sheshelit dhe në vitin 1998, në moshën 28-vjeçare, u bë ministër i Informacionit në qeverinë e Millosheviçit, gjatë luftës në Kosovë. Në atë detyrë, Vuçiç ishte pjesë e një qeverie që vendosi kufizime të ashpra ndaj mediave dhe ndëshkoi gazetat kritike me gjoba të rënda.
Gati katër dekada pas fjalimit të Millosheviçit në Gazimestan, Kosova vazhdon të mbetet një nga simbolet më të forta të retorikës nacionaliste në politikën serbe. Dhe Vuçiç, dikur ministër në qeverinë e Millosheviçit e më pas njeriu më i fuqishëm i Serbisë, duket se nuk ka ndërmend ta ndryshojë fyellin, edhe tani që ka humbur pushtetin.
Dhe këtu lind një tjetër pyetje: a do të ndryshojë qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës me ardhjen në pushtet të Listës Studentore?
Të paktën deri tani, sinjalet që vijnë nga Serbia nuk tregojnë ndonjë ndryshim thelbësor. Edhe lëvizja që rrëzoi Vuçiçin e konsideron Kosovën pjesë të Serbisë, kundërshton njohjen e pavarësisë së saj dhe kërkon rishikimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun me Prishtinën.
-
Atehere do te heqim shpirtin e do ta hedhim ne ferr te Milloshevic and company
Përgjigju









Komente
Komento