Autoritetet serbe kanë arrestuar komandantin e Njësisë Speciale Kundër Terrorizmit (SAJ), Igor Zhmiriq si dhe disa pjesëtarë e ish-pjesëtarë të strukturave policore, nën dyshimin për keqtrajtimin dhe torturimin e studentëve të arrestuar gjatë protestave kundër Qeverisë së Serbisë, në gusht të vitit 2025.
Sipas mediave serbe, rasti lidhet me ngjarjet e 14 gushtit të vitit të kaluar, kur studentja Nikolina Singjelliq dhe disa kolegë të saj dyshohet se janë keqtrajtuar në garazhin e ndërtesës së Qeverisë në Beograd.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se me urdhër të prokurorisë, janë ndaluar për 48 orë tetë zyrtarë policorë dhe një qytetar, i cili në kohën e ngjarjes ishte pjesëtar i policisë.
Sipas autoriteteve të dyshuarit kanë përdorur forcë dhe kërcënime ndaj disa personave, duke u shkaktuar dhimbje dhe vuajtje të mëdha, me qëllim marrjen e informacioneve, frikësimin dhe ndëshkimin e tyre në mënyrë të paligjshme.
Në mesin e të shoqëruarve janë edhe komandanti i SAJ-it, Igor Zhmiriq, dhe ndihmësi i tij, Goran Fillipoviq, raportojnë mediat serbe.
Studentja Nikolina Singjelliq kishte akuzuar zyrtarë të lartë policorë, përfshirë Marko Kriçakun, për kërcënime me përdhunim dhe përdorim të tepruar të forcës gjatë arrestimit të saj në protestat kundër pushtetit në Beograd.
Ndërkohë, Kriçak ndodhet në paraburgim për dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, keqtrajtim dhe torturë. Në paraburgim njëmujor është dërguar edhe Boshko Sekulloviq, shef i Shërbimit për Luftimin e Krimit, për të njëjtat dyshime.
Protestat studentore në Serbi nisën pas shembjes së strehës prej betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona. Gjatë protestave, studentët kërkuan përgjegjësi për tragjedinë dhe denoncuan vazhdimisht përdorimin e dhunës nga policia.







Komente
Komento