Bëhët fjalë për 3 nga 7 të dënuarit të cilët në nëntor të vitit 2013 realizuan arratisjen spektakolare nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës. Veç tre të dënuarve, te kthyer ne personazh per historite e tyre te arratisjes dhe tentativat e shumta per te lene burgun, pjesë e planit të mbetur në tentativë mbrëmjen e së shtunës, u bë edhe vëllai i Admirit, Genc Tafili. Ai nuk ka qenë pjesë e arratisjes nga burgu i Drenovës pasi vuante dënimin në Peqin, por zgjodhi t’i bashkohet vëllait të tij dhe 2 të dënuarve të tjerë në planin për arratisjen e tyre të dytë me shpresën se do të mund të dilnin jashtë ambienteve të burgut.
Ashtu si në rastin e Drenovës, edhe në arratisjen tashmë të parandaluar nga burgu i Peqinit, të dënuarit janë ndihmuar nga persona të tjerë, brenda dhe jashtë këtij institucioni.
Për këtë arsye, me vendim gjykate janë arrestuar 5 punonjës të burgut të Peqinit, dhe 33-vjeçari Jetmir Guzi nga qyteti i Shkodrës, i cili sipas hetimeve të prokurorisë dyshohet se është personi kryesor që i ndihmonte nga jashtë të dënuarit për të vënë në zbatim planin e arratisjes. Tre punonjësit e policisë dhe dy përgjegjësit e sektorit ligjor në burgun e Peqinit akuzohen për shpërdorim detyre, falsifikim të dokumenteve dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
Arratisja e bujshme nga burgu i sigurisë së Lartë në Drenovë ndodhi mbrëmjen e 23 nëntorit të 2013-ës, dhe aventura për 7 të dënuarit zgjati vetëm pak ditë, pasi te gjithe u vune ne pranga ne nje superaksion te policise.Madje Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri u arrestuan në një magazinë në Përrenjas vetëm një ditë pasi arritën të dilnin nga qelitë e burgut në Korçë. Për arsye sigurie, 3 të dënuërit u zhvendosën në burgun e Peqinit për vazhdimin e vuajtes së dënimit të përjetshëm për vrasje.
Admir Tafili është personi i cili ka marre përsipër autorësinë e organizimit te arratisjes ne 2013-ën.
Ndërhyrja e Prokurorisë dhe SHKBB evitoi arratisjen
Arratisja e dy vëllezërve famëkeq, Admir e Genc Tafilit gjithashtu dhe 2 të burgosurve të tjerë që u arratisën nga burgu i Drenovës në nëntorin e kaluar Fran Marashit dhe Gëzim Gurit është parandaluar pas ndërhyrjes së Prokurorisë së Elbasanit dhe Shërbimit të Kontrollit të Burgjeve.
Një ndërhyrje energjike e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ka parandaluar një arratisje spektakolare nga burgu i Peqinit të disa të burgosurve të dënuar për vepra të rënda penale.
Aktorët kryesorë që kanë synuar arratisjen janë të njëjtën persona që arritën të arratiseshin për disa ditë nga burgu i Drenovës, në nëntor të vitit 2013. Vëllezërit Admir dhe GencTafili, si edhe Fran Marashi dhe Gëzim Guri kanë planifikuar të arratisen, duke bashkëpunuar me persona jashtë dhe brenda burgut.
Hetimi, në pranga 5 punonjës të burgut të Peqinit dhe një bashkëpunëtor
Pas një hetimi të Prokurorisë së Elbasanit dhe Shërbimit të Kontrollit të Burgjeve, këtë mbrëmje janë arrestuar 5 punonjës të burgut të Peqinit dhe një shtetas nga Shkodra, të akuzuar se, nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve, kanë krijuar kushtet që të dënuarit të tentonin arratisjen nga burgu.
Në përfundim të hetimeve paraprake, Prokuroria e Elbasanit ka paraqitur kërkesën për masë sigurie “arrest me burg” për 5 zyrtarët e burgut dhe një shtetas tjetër, të cilët akuzohen për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit të dokumentave”, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga nenet 323, 248, 186 dhe 245/1 të Kodit Penale. Kërkesa e Prokurorisë është pranuar nga gjykata dh gjatë ditës së shtunë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka ekzekutuar vendimin e gjykatës për shtetasit:
A.B, dtl. 1984, me detyrë punonjës i policisë së IEVP (Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale) Peqin.
G.B, dtl. 1966, me detyrë punonjës i policisë së IEVP Peqin.
B.Y, dtl. 1981, me detyrë punonjës i policisë së IEVP Peqin.
A.H, dtl. 1955, me detyrë përgjegjës i sektorit të sigurisë së IEVP Peqin.
P.H, dtl. 1983, me detyrë përgjegjës i sektorit ligjor së IEVP Peqin.
Ndërsa forcat e Drejtorisë së Policisë së Tiranës ka ekzekutuar vendimin e gjykatës për arrestimin e shtetasit Jetmir Guzi, i datëlindjes 1981, i cili dyshohet se është personi kryesor që i ndihmonte nga jashtë të dënuarit për të vënë në zbatim planin e arratisjes. Ndërkohë, Prokuroria e Elbasanit po vijon hetimin për përfshirjen e personave të tjerë në këtë ngjarje.
Kush janë vëllezërit Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri
Admir Tafili
Admir Tafili, 39 vjeç, lindur e banues në Shkodër, është dënuar me burgim të përjetshëm për plagosjen e ish-shefit të krimeve në Malësinë e Madhe, Prelë Pjetrushi, ngjarje e ndodhur në vitin 2001 dhe për vrasjen e dy vëllezërve të oficerit të policisë, Nikë dhe Gjovalin Pjetrushi, në mars të vitit 2012. Admir Tafili është vëllai i Genc Tafilit, i dënuar me 16 vite burg për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari, ngjarje për të cilën ka qenë i dyshuar edhe vetë 38-vjeçari. Admir Tafili ndodhej në burg që nga korriku i vitit 2002, kur policia mundi ta arrestonte atë të plagosur. Por, në mars të vitit 2012, pas një leje të dyshimtë që i dhanë për të dalë nga burgu i Shënkollit në Lezhë, për të cilën u arrestuan dhjetë zyrtarë të këtij burgu, ai u arratis nga shtëpia e tij dhe vrau vëllezërit e ish-shefit të krimeve. Pas vrasjes së dyfishtë në Shkodër, forcat speciale RENEA arritën ta arrestonin në një lokal në Tiranë. Pas arrestimit në muajin prill të vitit 2012, Tafili u dërgua në burgun e Fushë-Krujës, ku është njohur me Fran Marashin. Dy të dënuarit u transferuan në burgun e Drenovës, nga ku dje mundën të arratisen sërish. Shpeshherë, Tafili kishte deklaruar nga burgu se duan t’i vrasin familjen, duke dhënë një paralajmërim për arratisjen e tij. Madje, ai ka pasur disa konflikte dhe ankesa gjatë qëndrimit të tij në burgun e Fushë-Krujës.
Genc Tafili
Genc Tafili, vëllai i Admir Tafili është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit
Fran Marashi
Fran Marashi, 37 vjeç, është dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Urës Vajgurore, ku ka vrarë katër policë, një qytetar dhe ka plagosur dy efektivë të tjerë. Fran Marashi, që mendohet të jetë organizatori i planit, bashkë me Admir Tafilin dhe Gëzim Gurin, ka mundur të arratiset edhe në vitin 2008 nga burgu i sigurisë së lartë në Burrel. Në atë kohë, së bashku me anëtarin tjetër të bandës së Urës Vajgurore, Prengë Lleshi, ata arritën të largoheshin nga dritarja e magazinës së ushqimeve. Por liria e tyre zgjati veçse dhjetë orë, pasi u arrestuan në një fshat, disa kilometra larg qytetit. Arratisja e tyre u shoqërua me shkarkimin e drejtuesve të burgut dhe personelit të turnit. Marashi i njohur si anëtar i bandës së Urës Vajgurore, është ekstraduar nga Italia në vitin 2006. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e policëve si dhe për krijim, organizim dhe drejtim të organizatës kriminale dhe kryerje të veprave nga organizata kriminale. Këtyre veprave penale i është shtuar edhe largimi nga vendi i dënimit. Ndërkaq, në shtator të vitit 2011, ai tentoi arratisjen e dytë, këtë herë, nga burgu i Fushë-Krujës. Por 33-vjeçari së bashku me tre të dënuar të tjerë po nga Shkodra, mes të cilëve ishte edhe i arratisuri i djeshëm, Gëzim Guri, para dy vitesh nuk ka mundur ta finalizojë planin e arratisjes.
Gezim Guri
Gëzim Gjergj Guri, 36 vjeç, lindur e banues në Vaun e Dejës në Shkodër, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje në rrethana cilësuese. Ai është akuzuar bashkë me shokun e tij Prel Vuçaj se kanë kryer një vrasje në ambientet e burgut të Burrelit, ku Guri vuante dënimin për një tjetër vepër penale. Ngjarja ka ndodhur më 20 mars të vitit 2002, ku është vrarë 37-vjeçari Fetah Kaçani, i cili ishte i dënuar me 25 vjet burg për një vrasje. Dy të burgosur të këtij burgu, Qemal Hani dhe Gëzim Guri janë grindur me njëri-tjetrin, duke përdorur edhe mjete të forta. Në konflikt ka ndërhyrë edhe Prel Vuçaj. Nga kjo grindje ka mbetur i plagosur Qemal Hani. Viktima Fetah Kaçani mendohet se është futur në mes të tyre për t’i ndarë, por ka gjetur vdekjen. Për këtë arsye, Guri nuk e ka pranuar kurrë akuzën, duke kërkuar deri në Gjykatën e Lartë ndryshimin e akuzës, megjithëse nuk është arritur diçka e tillë. Në vitin 2011, Guri bashkë me Vuçajn dhe të arratisurin e djeshëm Fran Marashi tentuan arratisjen nga burgu i Fushë-Krujës.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)