Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Altin Dumani, në raportin e tij para në KLP lidhur me punën e Spak përgjatë 2023-it u shpreh i shqetësuar për numrin e ulët të referimeve nga institucionet publike mbi rastet e dyshuara për korrupsion.

I njëjti shqetësim është ngritur edhe nga prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela në raportin vjetor që Prokuroria e Përgjithshme ka çuar në Kuvend. Në raport vihet re se krahasuar me vitin 2022, në vitin 2023 ka një ulje prej 36% të denoncimeve që vijnë nga nënpunësit publikë për vepra penale korruptive.

“Kallëzime nga nëpunësit publikë: në vitin 2023 rezulton të kenë ardhur në prokurori 650 kallëzime, që përbën ulje prej 36,95 % krahasuar me vitin 2022, në vitin 2022 rezulton të kenë ardhur në prokurori 1031 kallëzime, që përbën rritje prej 27,28 % krahasuar me vitin 2021, në vitin 2021 rezulton të kenë ardhur në prokurori 810 kallëzime, që përbën ulje prej 3,57 % krahasuar me vitin 2020, ndërkohë që në vitin 2020 rezulton të kenë ardhur në prokurori 840 kallëzime, që përbën ulje prej 41,59 % krahasuar me vitin 2019”– thuhet në raportin e Çelës.

 Prokuroria e përgjithshme në raport evidenton se krimi ka pësuar ulje për vitin 2023. Sipas raportit përqindjen më të ulët të koeficientit të kriminalitetit në vitin 2023 e ka qarku Dibër me 523 vepra penale për 100 mijë banorë dhe i lartë ky koeficent është në qarkun e vlorës me 1301 vepra penale për 100 mijë banorë. Nga ana tjetër kujtojmë se raporti vjetor i SPAK fliste për grupe kriminale agresive që kishin kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe të Europës.

**Ndiqni zhvillimet e mëposhtme për të tjera detaje nga raporti i Prokurorisë së Përgjithshme

(Kliko për të parë raportin e plotë)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:08
Nga përndjekja te pornografia, dhjetëra denoncime në Shqipëri! Çfarë thotë raporti i Prokurorisë

1712524211_perndjekje.jpg

Një tjetër fenomen shqetësues që konsumohet në rrjetet sociale apo faqe të ndryshme është pornografia. Në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme nënvizohet se janë rritur denoncimet për porongrafi gjatë 2023.

Pornografia

Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale “Vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit” është 17,96 % për vitin 2023, ndërkohë që në vitin 2022 ka qenë 11,81 %. Nga të dhënat statistikore vërehet se në vitin 2023 numri i procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 117 i Kodit Penal “Pornografia”, është rritur me 50 % krahasuar me vitin 2022.

Shfrytëzimi i prostitucionit

Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale “Vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit” është 9,51 % për vitin 2023, ndërkohë që në vitin 2022 ka qenë 10,07 %. Nga të dhënat statistikore vihet re në vitin 2023 tendenca në ulje 6,90 % e procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 114 i Kodit Penal “Shfrytëzimi i prostitucionit”, në krahasim me vitin 2022.

Përndjekja

Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale “Vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit” është 56,34 % për vitin 2023, ndërkohë që në vitin 2022 ka qenë 56,94 %. Nga të dhënat statistikore vërehet se në vitin 2023 numri i procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 121/a i Kodit Penal “Përndjekja”, është ulur me 2,44 % krahasuar me vitin 2022. Ecuria e këtyre veprave penale në pesë vite, 2019-2023 paraqitet në grafikun e mëposhtëm (procedimet penale të regjistruara në prokurori):

Ora 22:38
Raporti i Prokurorisë për krimet seksuale, këto janë qytetet me më shumë dhe më pak raste! Rriten denoncimet për ngacmime

1712522664_ngacmimseksual.jpg

Numri më i lartë i procedimeve të regjistruara për krime seksuale është në prokuroritë pranë gjykatës së shkallës së parë: Tiranë regjistruar 39 %, e numrit total të procedimeve të regjistruara për këto vepra në shkallë vendi, Durrës regjistruar 12 % e procedimeve, Fier dhe Vlorë përkatësisht me nga 8 % të procedimeve të regjistruara, etj sipas paraqitjes grafike. Ndërsa vërehet se numri më i vogël i procedimeve të regjistruara për këto grupvepra penale është në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë: Elbasan, Kukës, Lezhë, regjistruar secila rreth 2 % e totalit të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi për këtë grup veprash dhe prokuroria Dibër me 1% të procedimeve në shkallë vendi për këtë grup veprash.

Kështu thuhet në raportin e  paraqitur nga Prokuroria e Përgjithshme.

Nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2023 ka ulje prej 23,46 % të numrit të procedimeve të regjistruara për krime seksuale në krahasim me vitin 2022 dhe një ulje prej 39,08 % të procedimeve të dërguara në gjykatë në krahasim me vitin 2022. Në lidhje me të pandehurit për këtë grup veprash penale, vihet re ulje e numrit të të pandehurve të regjistruar përkundrejt këtij totali në vitin 2022 prej 28,13 %, ulje e numrit të të pandehurve të cilët janë dërguar në gjykatë me 38,95 % dhe ulje e numrit të të pandehurve të dënuar nga gjykata me 18,18 % përkundrejt vitit 2022. Grafikisht tendenca e krimeve seksuale për vitin 2023 krahasuar me vitin 2022, paraqitet si vijon:

Ngacmimi seksual

Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale “Krime seksuale” është 59,68 % për vitin 2023, ndërkohë që në vitin 2022 ka qenë 53,70 %. Pra vihet re rritje e këtij treguesi krahasuar me vitin 2022. Në vitin 2023, në grupin e krimeve seksuale vihet re një ulje prej 14,94 % e procedimeve të regjistruara për veprën penale të parashikuar nga neni 108/a i Kodit Penal “Ngacmimi seksual”, në krahasim me vitin 2022. 

Ora 20:36
Bilanci i prokurorisë së Përgjithshme për 2023: Krimi ka pësuar ulje! Në krye të listës Vlora, koeficientin më të ulët Dibra (Harta)

1712515372_prokuroriaepergjithshme.jpg

Të dhënat statistikore të përpiluara nga Prokuroria e përgjithshme të cilat i janë dorëzuar Kuvendit tregojnë se krimi ka pësuar ulje për vitin 2023. Siç rezulton nga të dhënat, përqindjen më të ulët të koeficientit të kriminalitetit në vitin 2023 e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Vlorë.

KOEFICIENTËT E KRIMINALITETIT PËR 100,000 BANORË

Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara, për 100,000 banorë në vitin 2023 është 872, ndërsa në vitin 2022 koeficenti i kriminalitetit ka qenë 920.

Në lidhje me koeficientet e kriminalitetit për 100,000 banorë sipas qarqeve, të dhënat statistikore rezultojnë si më poshtë:

-Në qarkun Berat që përfshin Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë në vitin 2023 është 672;

-në qarkun Dibër që përfshin Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë është 523;

-në qarkun Elbasan që përfshin Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë është 583;

-në qarkun Fier që përfshin Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë është 758;

-në qarkun Gjirokastër që përfshin Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë është 1154;

-në qarkun Korçë që përfshin Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë është 809;

-në qarkun Kukës që përfshin Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë është 797;

-në qarkun Lezhë që përfshin Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë është 1209;

-në qarkun Shkodër që përfshin Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë është 844;

-në qarkun Vlorë që përfshin Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë është 1301 dhe në qarqet Tiranë e Durrës që përfshijnë Prokuroritë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë e Durrës koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë është 917.