Vendimi i vetingut për gjyqtaren e Apelit Shpresa Beçja do të merret më 3 korrik 2020. Ditën e sotme u zhvillua seanca dëgjimore pas dy seancave të shtyra më 3 qershor dhe 17 qershor 2020. Beçaj, e shoqëruar nga avokati i saj Jualian Mërtiri, u paraqitën para trupës gjykuese të KPK të përbërë nga Olsi Komici, Roland Ilia dhe Lulzim Hamitaj.

Sipas KPK, gjyqtarja Beçaj nuk ka dorëzuar deklaratën e pasurisë pranë ILDKPI-së si dhe nuk ka depozituar as deklaratën e pastërtisë së figurës dhe as të të vlerësimit profesional duke mos përmbushur kështu detyrimin ligjor për të dalë para vetingut. Mosparaqitja e deklaratave, tha KPK, shkakton humbjen e cilësisë së subjektit të rivlerësimit dhe sjell pamundësinë e këtij institucioni për të vijuar hetimet në kuadër të vetingut.

"Mungesa e ushtrimit në kohë, i pamundëson KPK-së vlerësimin si ish-gjyqtare dhe si subjekt rivlerësimi si gjyqtare e Apelit", shprehet KPK.

Por për vetë gjyqtaren Beçaj dhe avokatin e saj, në kohën kur u kërkua plotësimi i deklarimeve, ajo nuk ka ushtruar profesionin e gjyqtares por avokates dhe për këtë hodhi akuza ndaj KLD se e la atë jashtë sistemit pasi sipas saj ishte një gjyqtare e pavarur. Gjyqtarja Beçaj shtoi se ajo është e gatshme  për t'u kontrolluar në çdo rast.

"Nuk kam qenë gjyqtare në detyrë dhe për këtë arsye nuk e kam plotësuar. Konfirmimin në detyrë si gjyqtare në Gjykatën e Lartë e kam marrë shumë më vonë pasi janë plotësuar formularët në kuadër të vetingut. KLD me presidentin në krye shkelën lignin duke mos më bërë gjykatëse dhe ju si KPK bëni çfarë të doni, ky është një relacion i dobët i juaji. Nuk është faji im që KLD për 5 vite nuk më bëri gjyqtare. Kam qenë e jam në dispozicion për t'u kontrolluar jo sot por sa te kem jetën time. Kandidova edhe për organet e vetingut", tha Beçaj.

Edhe avokati i saj, Mërtiri tha se Beçaj nuk ka qenë e detyruar të dorëzojë deklaratat pasi ishte avokate dhe se KPK ka bërë një relacion të dobët duke mos u kuptuar nëse gjyqtarja Beçaj është subjekt rivlerësimi si ish gjyqtare apo gjyqtare.

"Referuar relacionit të KPK, konstatojmë se nuk është plotësisht e saktë. Komisioni nuk ka analizuar siç duhet argumentet shtesë që Beçaj ka dorëzuar. Nga relacioni nuk arritëm të kuptojmë se në cilën kategori të hetimit është përfshirë Beçaj, nëse është gjyqtare apo një ish-gjyqtare. Rasti i znj. Beçaj ka qenë i veçantë. KPK ka konstatuar se gjyqtarja nuk ka dorëzuar deklaratat për tre shtyllat e hetimit. Rezulton se në asnjë prej datave kur ka qenë e detyruar dorëzimi i këtyre deklaratave, Beçaj ka qenë avokate dhe jo gjyqtare ", tha avokati.

Shpresa Beçaj ka qenë gjyqtare në Gjykatën e Lartë në vitet 2004-2013 dhe kryetare e Gjykatës së Lartë në vitet 2008-2013. Ndërsa gjyqtare e Apelit Tiranë është caktuar muajt e fundit. Në 1987 Beçja ka qenë gjyqtare në qytetin e Gramshit, ndërsa në 1990 u emërua gjyqtare në Tiranë. Ajo ka një karrierë prej 33 vitesh gjyqtare

Po kush është Shpresa Beçaj? Emri i saj u përmend në një kontekst komprometues nga Ilir Meta në videoskandalin në zyrën e Dritan Priftit, publikuar në vitin 2011, duke tronditur opinionin publik dhe bërë bujë edhe në arenën ndërkombëtare. Në atë kohë Meta ishte ministër i Jashtëm në qeverinë e Sali Berishës, ndërsa Prifti ministër Ekonomie, i propozuar nga Meta. Duke folur për pazare koncesionesh, emërimesh dhe interesash të ndryshëm, Meta i thotë Priftit se i ka punën mirë me Shpresa Beçajn, pasi i ka emëruar vajzën si diplomate në Austri.

Shpresa Beçaj ishte pjesë një trupës gjykuese në Apel, e cila la në fuqi vendimin e gjyqtarit Lazër Sallaku, për mbylljen e dosjes së Lulzim Bashës për lobimin rus. Dy anëtarët e tjerë ishin Alaudin Malaj dhe Shkëlqim Mustafa. Treshja ‘vulosi’ dosjen e lobimit, duke pushuar akuzën ndaj Lulzim Bashës, lidhur me pretendimet e prokurorisë për falsifikimin e dokumenteve në rastin e mosdeklarimit të 675 mijë dollarëve që kompania amerikane Muzin Capitol Partners kishte pohuar se kishte marrë për aktivitetet në favor të Partisë Demokratike. Pyetja se ku i ka marrë PD 675 mijë dollarë dhe pse nuk i ka deklaruar në KQZ sipas ligjit, ka mbetur pa përgjigje nga drejtësia.

Ndërsa po sot konfirmohet në detyrë Valdete Hoxha, gjyqtare në Gjykatës e Apelit Tiranë, ku KPK tha se doli e pastër në 3 kriteret

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:28
Acarohet Beçaj, akuza KLD: Shkeli ligjin, nuk më bëri gjykatëse

Gjatë seancës dëgjimore në KPK, gjyqtarja Beçaj është acaruar dhe e ka cilësuar relacionin e këtij institucioni të dobët. Ajo akuzoi KLD dhe presidentin Nishani në atë kohë, se e lanë atë jashtë duke mos e bërë gjykatëse, pasi sipas saj ishte vërtetuar që ishte një gjyqtare e pavarur.

"KLD me presidentin në krye shkelën lignin duke mos më bërë gjykatëse dhe ju si KPK bëni çfarë të doni, ky është një relacion i dobët i juaji.  Formula politike e 17 majit më la jashtë gjykatës pasi unë e kisha vërtetuar se isha gjyqtare e pavarur. Nuk është faji im që KLD për 5 vite nuk më bëri gjyqtare. Kam qenë e jam në dispozicion për t'u kontrolluar jo sot por sa te kem jetën time. Kandidova edhe për organet e vetingut.", tha Beçaj.

Ora 09:53
Avokati i Beçaj: S'kuptuam nëse po hetohet si gjyqtare apo ish gjyqtare! Deklarimet u kërkuan kur ishte avokate

Avokati mbrojtës i Shpresa Beçaj, Jualian Mërtiri tha se nuk u arrit të kuptohej nëse gjyqtarja Beçaj ishte subjekt rivlerësimi si ish gjyqtare apo gjyqtare duke e cilësuar relacionin  e KPK jo të saktë.

"Referuar relacionit të KPK, konstatojmë se nuk është plotësisht e saktë. Komisioni nuk ka analizuar siç duhet argumentet shtesë që Beçaj ka dorëzuar. Nga relacioni nuk arritëm të kuptojmë se në cilën kategori të hetimit është përfshirë Beçaj, nëse është gjyqtare apo një ish-gjyqtare", tha avokati.

Mërtiri shprehet se Beçaj nuk ka qenë e detyruar të dorëzojë deklaratat, pasi në kohën që ato duheshin plotësuar, Shpresa Beçaj ushtronte profesionin e avokates dhe jo gjyqtares.

"Rasti i znj. Beçaj ka qenë i veçantë. KPK ka konstatuar se gjyqtarja nuk ka dorëzuar deklaratat për tre shtyllat e hetimit. Rezulton se në asnjë prej datave kur ka qenë e detyruar dorëzimi i këtyre deklaratave, Beçaj ka qenë avokate dhe jo gjyqtare. Ligji nuk e ka të detyruar dorëzimin e deklaratave pasi ajo është emëruar në Gjykatën e Lartë. Mundësia e dorëzimit të një kërkese në KPK nuk ka sërish një bazë ligjore. Znj. Beçaj është e gatshme të plotësoj formularët, por nuk është parë e arsyeshme të plotësohen se nuk e detyron ligji. I kërkojmë komisionit që të vlerësoj me rigorozitet situatën e znj. Beçaj, në njërin prej rasteve më unike të bërë ndonjëherë, jo për shkak të saj", tha avokati.

I pyetur nga KPK se ku e përcakton përfundimisht Shpresa Beçaj veten, gjyqtare apo jo-gjyqtare, Mërtiri tha se "në periudhën që ajo nuk ishte gjyqtare nuk mund të konsiderohet gjyqtare".