Pas dy vitesh me rritje të shpejtë, kredia për ndërtimin është në rënie këtë vit

Pas dy vitesh me rritje të shpejtë, kredia për ndërtimin është në rënie këtë vit

Foto ilustruese

Kredia për sektorin e ndërtimit po shfaq shenja rënieje këtë vit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, për shtatë muajt e parë të vitit vlera e kredisë së re për këtë sektor ra në 20.5 miliardë lekë, 9.7% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Rënia e kredisë për ndërtimin pjesërisht është e lidhur me forcimin e lekut në kursin e këmbimit. Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut këtë vit ka pësuar një rënie të ndjeshme, rënie që arriti pikun në muajin korrik, kur monedha europiane iu afrua shumë afër kufirit të 100 lekëve.

Megjithëse statistikat nuk janë të detajuara sipas valutës së kredisë, vlerësohet se një pjesë e konsiderueshme e kredisë për ndërtim jepet në monedhën europiane. Forcimi i Lekut ka dhënë një efekt negativ në vlerën statistikore të kredisë për këtë vit dhe segmenti i ndërtimit nuk bën përjashtim nga kjo tendencë. Megjithatë, përtej efektit të kursit të këmbimit, tendenca e frenimit të kreditimit të këtij sektori është e qartë, krahasuar me dy vitet paraardhëse.

Kredia për ndërtimin kishte shfaqur rritje të ndjeshme në dy vitet e mëparshme, duke ndjekur ciklin e ri të rritjes së këtij sektori. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për 7-mujorin 2022, kredia e re për sektorin e ndërtimit ishte në rritje me 38% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këtë vit, disbursimet e reja kanë një tendencë rënëse. Sektori bankar financon vetëm një pakicë të investimeve të reja në ndërtim, por, sidoqoftë, rënia e financimeve mund të jetë një tregues që paralajmëron rënien e investimeve në këtë sektor.

Rritja e normave të interesit që filloi vitin e kaluar besohet se ka nisur ta frenojë tendencën e rritjes së fortë të çmimeve të pronave që u regjistrua në periudhën pas pandemisë. Agjentët e pasurive të paluajtshme shprehen se rritja e çmimeve është frenuar që prej fundit të vitit të kaluar, por, megjithatë, kërkesa në treg ka ngelur në nivele të kënaqshme, falë rritjes së pagave, por edhe forcimit të lekut në kursin e këmbimit me Euron.

Sidoqoftë, duke se bankat tashmë kanë nisur të tregohen më të kujdesshme në mbështetjen e projekteve të reja në sektorin e ndërtimit.

Statistikat e lejeve të ndërtimit japin një tablo mikse lidhur me ecurinë e ofertës në këtë treg. Sipas të dhënave nga INSTAT, për këtë vit numri i lejeve të ndërtimit ka vazhduar të rritet. Për gjashtë muaj, janë dhënë gjithsej 938 leje ndërtimi, në rritje me 27% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, sipërfaqja totale e lejeve të miratuara ka pësuar rënie të ndjeshme, me 37% krahasuar me një vit më parë./Monitor

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë