TIRANE-Policia e Shtetit njoftoi sot se prej një muaji ka filluar në heshtje një aksion kundër të ‘fortëve’ në komunitet në 12 qarqet e vendit. Aksioni ka nisur në datë 20 shtator me qëllim goditjen e të gjithë elementëve me rrezikshmëri dhe në kërkim.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu teksa prezantoi rezultatet e muajit të parë nga operacionet që janë zhvilluar u shpreh se ka qenë porosi e kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj goditja e të ‘fortëve’.

Veliu deklaroi se nga operacioni në një muaj janë arrestuar 328 persona, nga të cilët rreth 160 janë me precedentë apo prishës të rendit, 154 në kërkim kombëtar dhe 14 të tjerë në kërkim ndërkombëtar.

Gjithashtu nga operacionet në akset rrugore, banesa dhe lokale janë sekuestruar 43 armë zjarri të llojeve të ndryshme, automjete dhe një sasi e konsiderueshme parash. Ardi Veliu premtoi se aksioni do të vijojë për të ndëshkuar ashpër çdo individ që sfidon shtetin.