Pas përfundimit të hapjes së rrugës provizore që lidh fshatin Matogjin me Bashaj, mjetet e ushtrisë kanë mbërritur mëngjesin e së shtunës duke sjellë pajisje dhe mjete për ndërtimin e një ure lidhëse mbi përrua.
Rruga e mëparshme, e cila u shemb, la të izoluar banorët e fshatit Bashaj, duke vështirësuar lëvizjen dhe furnizimin e tyre.
Si zgjidhje emergjente u mendua hapja e një rruge alternative, ndërsa tashmë kanë nisur edhe punimet për ndërtimin e urës, që pritet të rikthejë normalitetin e qarkullimit në zonë.
Për shkak të motit të keq dhe reshjeve të dendura të shiut në muajin janar, banorët e fshatrave Bashaj mbetën të izoluar totalisht si pasojë e rrëshqitjes së një pjese të shpatit të malit, e cila dëmtoi rëndë rrugën kryesore lidhëse.
Rrëshqitja e dherave dhe gurëve e bëri aksin të pakalueshëm, duke ndërprerë çdo komunikim normal të këtyre fshatrave me pjesën tjetër të zonës.
Komente









