Në të njëjtën ditë kur në Beograd u mbajtën homazhe për Ratko Mlladiçin, arkitektin e masakrës së Srebrenicës, ku mori pjesë edhe ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiç, presidenti Aleksandër Vuçiç ashpërsoi retorikën ndaj Bashkimit Evropian, Kosovës dhe vendeve të rajonit përfshirë Shqipërinë.
Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Partisë Progresive Serbe (SNS), Vuçiçi hodhi poshtë kritikat e komisioneres evropiane Marta Kos për nderimet ndaj Ratko Mlladiçit, duke mbrojtur daljen e qytetarëve për të pritur kortezhin me trupin e tij dhe duke refuzuar çdo ndërhyrje të Brukselit në mënyrën se si Serbia trajton këtë çështje.
Presidenti serb sfidoi hapur edhe vetë komisioneren, duke deklaruar se "serbët kanë frikë vetëm nga Zoti, jo nga Marta Kos-i".
"Thonë se kishte njerëz në mbikalime. Jo, po do t'i arrestojmë ata! Ju do të na tregoni çfarë do të bëjmë në vendin tonë? Vallë mendojnë se dikush ka frikë prej tyre? Ne serbët kemi frikë vetëm nga Zoti, jo nga Marta Kos-i. Qeveria sllovene nuk e pranon atë, ndërsa ne duhet ta pranojmë? Le të vijë të shëtisë pak, që të shohë sa mirë e presin njerëzit në Serbi", tha Vuçiçi.
Vuçiç u rikthye më pas te dialogu me Kosovën, duke përsëritur se Serbia nuk do të pranojë një kompromis që nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës.
"Kur Hashim Thaçi filloi të fliste për mundësinë e arritjes së një kompromisi, përgjigjja ishte se me serbët nuk ka kompromis. Kompromisi, sipas tyre, duhej të nënkuptonte që serbët ta njihnin të ashtuquajturën Kosovë të pavarur, të pendoheshin dhe të kalonin nëpër një katarsis", tha Vuçiçi.
Ai sulmoi edhe drejtësinë ndërkombëtare, duke pretenduar se ish-presidenti i Kosovës nuk do të dënohet për krimet ndaj serbëve.
"Tani kanë menduar ta dënojnë Thaçin, por do ta dënojnë për shpërfillje të gjykatës, jo për krimet ndaj serbëve. Kujt i intereson kush e theri djalin Slobodan Iliç? Është gjak serbi, nuk ka rëndësi. Elfeta Veseli e theri me duart e saj një djalë 12-vjeçar, u dënua dhe tani është e lirë. Një përbindësh endet i lirë. Por për ta, të gjithë serbët janë përbindësha."
Në fund të fjalimit, Vuçiçi përmendi edhe Shqipërinë, Kosovën dhe Kroacinë, duke pretenduar se po ushtrojnë presion ndaj Serbisë përmes aleancave rajonale, ndërsa lëshoi edhe një paralajmërim.
"Edhe sot Prishtina, Tirana dhe Zagrebi na kërcënojnë me aleanca, por mos u shqetësoni, ne do ta ruajmë paqen. Falë qytetarëve të Serbisë që punuan fort, ne e forcuam ushtrinë për ta ruajtur paqen. Do t'ua zgjasim gjithmonë dorën Evropës, por mos na poshtëroni. Serbia do ta mbrojë neutralitetin ushtarak, pavarësinë dhe qiellin e saj. Ne nuk do të prekim askënd, por ju lutem mos mendoni as të prekni Serbinë, sepse do të dimë të mbrohemi shumë, shumë, shumë më fort", deklaroi presidenti serb.
Deklaratat e Vuçiçit vijnë në një moment tensioni mes Beogradit dhe Brukselit, pasi Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Serbi duke e cilësuar glorifikimin e Ratko Mlladiçit si të papajtueshëm me vlerat mbi të cilat ndërtohet rruga drejt Bashkimit Evropian.










Komente
Komento