Pas javës së fundit të shkurtit, e cilësuar ndryshe si ‘Java e Gjelbër’ ligjvënësit janë rikthyer pasditen e sotme në sallën e Parlamentit me rend dite ‘diskutime për çështje të evidentuara nga zgjedhësit’.

Nuk mund të shpëtonte nga fokusi i diskutimeve gjendja e luftës në Lindjen e Mesme si dhe protesta e 28 shkurtit e zhvilluar nga Partia Demokratike. Ndërkohë që deputeti i PD Tritan Shehu kërkoi që Kuvendi i Shqipërisë të dilte me një deklaratë të përbashkët për të treguar qëndrimin e Shqipërisë krah sulmeve të koordinuara mes SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, Balla iu përgjigj duke e paralelizuar situatën me aktet e dhunës të ushtruara nga opozita nëpër protesta.

Duke e cilësuar Berishën si Ajatollahu i fundit i mbetur në Evropë, Balla tha se në kohën që SHBA dhe Izraeli sulmonin Iranin, kryetari i PD urdhëronte militantët të sulmonin ashpër vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha në një moment që brenda kishte artistë. Sigurisht kjo kundërshtohet nga Gazment Bardhi me argumentin që nuk kishin dijeni për prezencën e tyre në vilë. Sot vila e Enver Hoxhës shërben si qendër kulturore që pret artistë nga e gjithë bota.

Lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:44
VIDEOLAJM/ Deputeti Muçi i fokusuar në lojën e shahut ndërkohë që deputetja e PD flet për Jug-Lindjen e bllokuar

Deputeti i partisë Lëvizja Bashkë Redi Muçi është filmuar teksa luante shah ndërkohë që në foltore po mbante fjalën deputetja e PD Ledina Allolli, e cila ngriti si shqetësim bllokimin e qarkullimit drejt juglindjes për shkak të rrugës së shembur.

Ora 18:33
Sulmi me molotovë ndaj vilës me artistë, Bardhi replika me Ballën: Nuk rrimë në paradhomën e Ramës për të ditur se çfarë qokash bën me pronat e shqiptarëve

1772472884_gazmentbardhi.jpg

Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi replikoi me Taulant Ballën i cili iu kërkoi të distancohen nga protestat e dhunshme dhe u kujtoi sulmin e dhunshëm me molotovë ndaj vilës së Enver Hoxhës, ku ndodheshin artistë. Bardhi i tha Ballës se nuk kishin dijeni që vila i është lënë të menachohet një fondacioni francez, duke thënë se u desh protesta e 28 shkurtit që të zbulohej se çfarë qokash bën kryeministri me pronën publike.

“Meqë kërkoi që të distancohen nga dhuna, po ne distancohemi nga dhuna e korrupsionit, nga politikanët e lidhur me krimin e organizuar, ne distancohemi nga çdo normalizim i një situate që po e çon Shqipërinë shumë hapa pas. Të vish në foltore të marrësh fjali të kreut të komisionit të jashtëm të PE dhe të injorosh një fjalim ku i kërkohet kësaj mazhorance të distancohet nga korrupsioni i Ballukut dhe të mos vonojë heqjen e imunitetit dhe përballjen e saj me drejtësinë, duhet të kesh parasysh që ne nuk rrimë në paradhomën e Ramës për të ditur se çfarë qokash bën me pronat e shqiptarëve. Fakti që një pronë publike i është kaluar për menaxhim një fondacioni francez u desh protesta e datës 28 që ta mësonim ne dhe shqiptarët”, iu përgjigj Bardhi-Ballës.

Ora 18:31
Shembja e aksit Librazhd-Prrenjas, deputeti Ivi Kaso në Kuvend: Në Korçë është rritur çmimi i bukës dhe bileta e autobusit për në Tiranë

1772472720_juiii.JPG

Deputeti i PD-së, Ivi Kaso, deklaroi në Kuvend se shembja e aksit rrugor Librazhd-Prrenjas ka çuar në rritjen e çmimit të autobusit për në Tiranë dhe rritjen e çmimit të bukës në qarkun Korçë.

“Shembja e rrugës Librazhd-Prrenjas, një akt i pastër korrupsioni. Halli më i madh i Ministrisë së Invrastrukturës sot është halli i ministres së saj, dhe jo i rrugëve që po bëhen thërrime. Keni 12 vite që vetëm i gënjeni me lugë të zbrazët qytetarët e juglindjes. Dëmet sot po i paguajnë mbi 200 mijë banorë të juglindjes, që po përballen me pasojat. Kamionët devijojnë 40-60 km më shumë, me kosto të rritura në kohë dhe karburantë. Dje ishte rritur bileta e autobusit për në Tiranë, ndërkohë që sot është rritur edhe çmimi i bukës në Korçë”, tha mes të tjerash Kaso.

Ora 18:20
Balla: Berisha Ajatollahu i fundit në Evropë, sulmoi vilën e Enver Hoxhës! Vetëm ai ka mundur të futet brenda dhe të ngrohet te oxhaku i diktatorit

1772471303_taulantballa.jpg

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla iu përgjigj kërkesës së Tritan Shehut duke thënë se qëndrimi i Shqipërisë është bërë mjaft i qartë nëpërmjet deklaratave zyrtare të kryeministrit Edi Rama. Balla gjithashtu e cilësoi Berishën si Ajatollahu i fundit i mbetur në Evropë duke paralelizuar luftën në Lindjen e Mesme me protestën e dhunshme të PD-së më 28 shkurt. Balla tha se ndërkohë që SHBA dhe Izraeli godisnin Iranin, Berisha sulmoi vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha ndërkohë që brenda kishte artistë. Sot ajo vilë funksionon si qendër kulturore.

“Qeveria shqiptare përmes kryeministrit e ka bërë të qartë mbështetjen e Shqipërisë ndaj ndërhyrjes së SHBA dhe të Izraelit në një sulm parandalues ndaj Iranit dhe po ashtu sikurse jeni në dijeni Rama ka shprehur solidaritetin e plotë të Shqipërisë me vendet në Gjirin Persik që janë kthyer në target të regjimit në shkatërrim e sipër të Ajatollahëve në Iran. Kryeministri ka biseduar sot me presidentin e emirateve të Bashkuara Arabe, dhe po ashtu ka shprehur solidaritetin dhe me vend të tjera mike, por siç jeni në dijeni ka pasur sulme ndaj Qipros. E mirëpresim propozimin tuaj për të pasur një qëndrim po besoj se qëndrimi ka qenë i qartë. Në të njëjtën linjë me atë që presidenti Trump konfirmoi se objektivi i SHBA ishte të mbronte popullin amerikan dhe vendet aleate duke eliminuar kërcënimet ndaj regjimit iranian. Ndërkohë që SHBA dhe Izraeli me forcat e tre godisnin objektivat e regjimit të Ajatollahëve, Ajatollahu i fundit në Evropë, Sali Berisha urdhëronte ju dhe ata që iu vijnë nga mbrapa të sulmonit godina. Në ato godinë vetëm Saliu ka qenë brenda, asnjëri nga ne. I vetmi që mund të hynte në atë godinë dhe të ngrohej pranë zjarrit bubulak të diktatorit, ishte Ajatollahu i partisë tuaj. Besoj që sot është dita që në emër të PD në linjë me grupin e partive popullore evropiane në PE, e thënë qartë përmes McAllister, që duhet të distancoheni nga dhuna”, tha Balla.

Sali Berisha brenda vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha
Ora 18:20
'Kërko falje'- Zhupa i përgjigjet Ballës në Kuvend: Revolta e opozitës do vazhdojë! Mos u bëni mburojë për imunitetin e Ballukut

1772472060_tdyuiop.JPG

Deputetja demokrate Ina Zhupa i ka bërë thirrje kolegëve socialistë që të mos bëhen mburojë e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.

Zhupa teksa iu kundërpërgjigj Ballës lidhur me molotovët e hedhur gjatë protestës së PD-së te vila e Enver Hoxhës, tha se revolta e opozitës do të vazhdojë.

“Zoti Balla mendova se to të kërkonit falje në ëmër të policisë së shtetit që morët protestuesin me flamur kombëtar, e goditët dhe pastaj hodhët edhe flamurin kombëtar. Është hera e parë që një punonjës i policisë përdhos simbolin e shtetit.

Zoti Balla dijeni që protesta është një e drejtë qytetare. Janë qytetarët që kërkojnë që qeveria t’u kthehet atyre dhe që ju të mos bëheni mburojë politike siç jeni bërë për të mbajtur imunitetin e zv.kryeministres.

Nëse doni të citoni kryetaren e Komisionit të Jashtëm të BE-së, atëherë citojeni drejtë kur thotë se testi kritik për Shqipërinë është imuniteti i Ballukut. Zbatojeni atë që t’i hapni rrugë Shqipërisë për në BE. Të gjitha dhembshuritë që keni për vilën e diktatorit, mjafton të shihni pamjet e Teatrit me njerëz brenda, si i shembnit ju”, tha Zhupa.

Ora 18:14
Lufta në Iran/ Deputeti i PD: Ka shqiptarë të bllokuar në Lindjen e Mesme, të dalim me deklaratë për të treguar mbështetjen e palëkundur për SHBA-në

1772471751_tritanshehu.jpg

Deputeti i PD Tritan Shehu kërkoi që Kuvendi i Shqipërisë të dilte me një deklaratë për të shprehur qëndrimin e qartë krah SHBA-së në sulmin e koordinuar të ndërmarrë së bashku me Izraelin kundër regjimit të Iranit. Shehu foli për disa shqiptarë të bllokuar në Lindjen e Mesme ndërsa kërkoi nga qeveria angazhim të plotë për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve shqiptarë.

“Mora disa telefonata nga Gjirokastra për qytetarë të bllokuar në Lindjen e Mesme pa në kushte të rrezikshme. Do të kërkoja involvimin e plotë të qeverisë shqiptare në disa aspekte, jo vetëm në ndihmën dhe identifikimin e shqiptarëve që janë atje në mëshirë të fatit dhe askush nuk tenton t’i kontaktojë ndërsa të gjitha qeveritë e tjera evropiane janë në këmbë, kanë  krijuar qendrat e emergjencës. Parlamentet e vendeve evropiane janë mbledhur sot për të gjykuar këto probleme. Këtu tek ne heshtet. Sot duhet të vinte ministrja e Jashtme të jepte përgjigje për këto çështje. Kërkoj nga të gjithë të dalim me një qëndrim ku të deklarojmë se jemi ngushtësisht në krah të SHBA-së në këtë veprim ushtarak që ka marrë kundër një regjimi gjakatar. Të marrim një pozicion të qartë krah SHBA në këtë moment të vështirë por dhe shprese për një shpëtim nga një regjim i tillë. Kërkoj që parlamenti të dënojë sulmet që Irani ka marrë ndaj vendeve përreth”, tha Shehu.

Ora 18:06
Evis Kushi: Indeksuam pagat e arsimtarëve me 2.5%, një kategori e caktuar përfiton rritje në 5.17%

1772471221_xduyooo.JPG

Zv.kryetarja e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, Evis Kushi, është shprehur se prej janarit të këtij viti ka nisur indeksimi i pagave me 2.5% për të gjithë punonjësit e sektorit të arsimit.

Kushi tha gjithashtu se për kategorinë e arsimtarëve që kanë paga nga 58 mijë deri në 74 mijë lekë në muaj, është parashikuar edhe një shtesë prej 3 mijë lekësh.

“Prej një janarit ka hyrë në fuqi indeksimi i pagave me 2.5% për të gjithë punonjësit e sektorit të arsimit. Ndërsa për kategoritë që kanë paga nga 58 mijë deri në 74 mijë lekë në muaj, ne kemi parashikuar edhe një shtesë prej 3 mijë lekësh, që do të thotë se rritja e përgjithshme e pagave për këtë kategori arrin në 5.17 %. Ky është një lajm i mirë për çdo mësues dhe për çdo punonjës që jep kontribut në arsim.

Nga ky vendim përfitojnë 36 mijë e 390 punonjës të sistemit arsimor. Të dashur koleg, ky nuk është vetëm një vendim me efekt financiar, por është edhe një mesazh për të gjithë ata që edukojnë brezin e ri, se në çdo rritje pagash, do të përfitojnë edhe ata. Ne do të diskutojmë nismën ligjore që u jep zgjidhje shqetësimit të të gjithë atyre mësuesve, që janë punësuar para sistemit të Bolonjës”, tha mes të tjash Kushi.

 

Ora 17:40
Shembja e aksit Librazhd-Prrenjas/ Deputetja Alolli në Kuvend: Është izoluar gjithë Jug-Lindja, turizmi po përballet me humbje të mëdha

 

Deputetja Ledina Alolli ka ngritur në Kuvend shqetësimin për shembjen e aksit Librazhd-Prrenjas, duke thënë se ka çuar në izolimin e jug-lindjes së vendit.

Alolli tha gjithashtu se shembja e aksit ndodhi për shkak të korrupsionit dhe shkeljes së standardeve.

“Në këto momente e gjithë juglindja e vendit është e bllokuar. Banorët janë të izoluar. Është izoluar arteria kryesore e jug-lindjes. Kjo ka krijuar probleme shumë të mëdha. Ka bllokuar Korçën nga pjesa tjetër e vendit. Një situatë e paprecedentë, që ka sjellë izolimin e plotë të disa bashkive. Kjo ka sjellë problematika të mëdha në ekonominë e banorëve të qarkut Korçë. Atyre u është përmbysur normaliteti i jetës. Kjo nuk ndodhi nga natyra. Ekspertët flasin për shkelje të rënda teksnike dhe standarde të cënuara. Bizneset lokale janë përballur me kosto të rritura, ndërsa sektori i turizmit me humbje të mëdha”, tha mes të tjerash Alolli.

Ora 17:32
Deputetja e PS: Dhuna e PD ndaj vilës të Enver Hoxhës me artistë e papranueshme, po dëmtoni imazhin e Shqipërisë

 

Deputetja e PS Milva Ekonomi dënoi sulmin e protestuesve të PD-së ndaj vilës së ish-diktatorit Enver Hoxha gjatë tubimit të 28 shkurtit teksa brenda ndodheshin artistë. Ekonomi tha se përpjekjet e opozitës për të zhvendosur Shqipërinë drejt një krize politike, nuk dëmtojnë vetëm një palë, por imazhin e interesit kombëtar.

“Për Shqipërinë stabiliteti ndërkombëtar është interes i drejtpërdrejtë. Angazhimi në struktura që promovojnë paqen është një akt përgjegjësie. Në planin e brendshëm opozita organizoi protesta. Protesta nuk mund të jetë zëvendësim i debatit institucional, dhunë, zjarr, argument dhe shkatërrim dhe as alternativë. Demokracia nuk është vetëm  drejta për të protestuar për dhe për të kontribuar me ide. Çdo përpjekje për të zhvendosur vendin drejt krizës politike nuk dëmton një palë apo qeveri, por dhe imazhin e interesin kombëtar. Dënojmë me forcë aktet e dhunës që arritën në një nivel të papranueshëm ndaj vilës 31. Vila 31 që nga viti 2025 është rezidencë për artistë kombëtarë. Organizatorët nuk duhet ta injorojnë këtë fakt. Shqiptarët presin stabilitet, nuk presin konflikte pa fund. Shqipëria nuk ka luksin e krizave të fabrikuara politike”, tha Milva Ekonomi.

Ora 17:28
‘Rruga e prishur, fëmijët ecin mes baltës për në shkollë’- Braçe: Si punimet e OST po zvarrisin ndërtimin e aksit në Selitë, 2 kompani nënkontraktore lanë punën në mes

 

Deputeti i Partisë Socialiste ka ngritur në Kuvend 2 shqetësime, një për një aks rrugor në Selitë, i cili sipas tij po vonohet për shkak se OST po kryen një tjetër vepër në atë zonë.

Sipas Braçes, 2 kompanitë nënkontraktore të OST-së që po punonin për ndërtimin e linjës ajrore me qart të dyfishtë Tirana 2-Rrashbull dhe Unazën 110 kë të Tiranës, kanë lënë punën që në janar.

Kjo ka bërë që sipas Braçes vepra të mos përfundojë brenda fillimit të marsit siç ishte parashikuar, çka ndikon edhe te vonesa e ndërtimit të rrugës.

Braçe i bëri thirrje Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës që të merrte masa për situatën në fjalë.

“Shqetësimi im ka të bëjë me një zonë të Tiranës, Njësia 5, Selita, e cila ka një aks të qartë qëndror që fillon në Unazën e madhe të Tiranës, e përshkon mes për mes dhe del në anën tjetër. Shqetësimi lidhet me një rrugë që ka 2 vite që ka nisur dhe që duhet të përfundonte. Në fakt është mirë që rruga nuk ka përfunduar dhe në këtë pikë mirë është bërë, sepse OST ka në plan të ndërtojë linjën ajrore me qark të dyfishtë Tirana 2-Rrashbull dhe Unazën 110 kë të Tiranës. Segmenti është loti 2 që ka të bëjë me linjën ajrore dhe seksionet e kabllove nëntokësore. Kontrata është lidhur dhe afati për mbarimin e kësaj linje është nga 9 dhjetori 2025 deri në 9 mars 2026. Ajo që mua më shqetëson është që 2 kompani nënkontraktore të OST kanë lënë punën që në janar. Ndërkohë që kanë ngelur edhe 7 ditë nga sot, nuk ka shans që vepra të përfundojë. Kjo ndikon edhe te mos-përfundimi i rrugës pranë Selitës. Do doja shumë që ministria përgjegjëse për Energjinë dhe Infrastrukturën të kërkonte zbatimin e kontratës me ngulm, që të mos vonohet ndërtimi i linjës dhe shtrimi i kabllove nëntokësore nga nënstacioni deri sipër në kondrën e diellit dhe punimet për rrugën. Shqetësimi është shumë i madh pasi krah rrugës është shkolla ‘Murat Toptan’. Të gjithë fëmijët e Selitës shkojnë në këtë shkollë dhe nuk e kanë gëzuar ndërtimin e kësaj shkolle sepse kalojnë në baltë”, tha Braçe.

Ndërkohë një shqetësim tjetër Braçe e kishte edhe për pensionistët, një pjesë e të cilëve sipas tij, nuk kanë arritur ta përfitojnë kompensimin e të ardhurave.

Braçe tha se mes pensistëve ka nga ata që nuk kanë përfituar pension të plotë, për fare pak ditë apo javë pune. Sipas Braçes, ministria përkatëse duhet të japë një zgjidhje për këtë situatë.

“Ka një grup pensionistësh që nuk e kanë përfituar kompensimin e të ardhurave dhe brenda këtij grupi është një grup tjetër që për fare pak ditë apo muaj pune nuk e kanë përfituar pensionin e plotë të pleqërisë. Do të doja t’i kërkoja ministrisë përkatëse që të gjejë një zgjidhje për këtë kategori pensionistësh që nuk kanë përfituar nga skema e kompensimit të të ardhurave për fare pak gjë. Do të ishte mirë që edhe kjo kategori pensionistësh të përfitonin nga vendimi i qeverisë”, vijoi më tej Braçe.