Elton Varaku, ish-shefi i AKU-së Durrës është lënë në burg nga Gjykata pasi është akuzuar për dëmtim të pronës dhe kërcënim të punonjësve të institucionit.
Report TV ka siguruar dokumentin me deklarimet e disa prej punonjësve. Në dëshmitë e tyre përkon ora e paraqitjes së Varakut në institucion, 10:00 dhe përshkrimi i sjelljes së tij agresive.
Anila Kapidani, drejtuesja e re, deklaron se më 27 shkurt, Varaku, i cili ishte pezulluar nga detyra vetëm një ditë më parë, ka shkuar në institucion dhe është ngjitur drejt e në katin e dytë ku ndodhej zyra e tij. "Varaku është ngjitur menjëherë në katin e dytë, ku ndodhej ish-zyra e tij. Pasi ka mbërritur atje, ai ka shkelmuar derën dhe ka hedhur përtokë sende dhe objekte të institucionit duke shkaktuar rrëmujë dhe dëmtime", thuhet në deklarimin e Kapidanit, duke shtuar se ndërkohë ai fyente dhe kërcënonte stafin. Sipas saj, Varaku është rikthyer pas 45 minutash me automjetin e tij dhe "ka qëndruar jashtë institucionit derisa është larguar pas ndërhyrjes së shërbmit privat të sigurisë."
Dëshmia e radhës është e shefit të Financës, Mired Tafës, i cili punon prej 5 vitesh në AKU Durrës. Përshkrimi i ngjarjes prej tij është vetëm një përforcim i asaj që thotë Kapidani. Edhe Tafa e ka parë Varakun duke shfaqur sjellje agresive, duke hedhur sende në korridor pranë zyrës së tij dhe sipas tij, dukej se shënjestra e fyerjeve ishte pikërisht Kapidani.
Roja i sigurisë, Petrit Çorja, thotë se pas paraqitjes së ish-drejtorit, ka dëgjuar një zhurmë të fortë që vinte nga kati i dytë. Kur është ngjitur, ka gjetur sendet në korridor, por nuk ka dëgjuar të fyera apo kërcënime. "Eltoni nuk ka bërë rezistencë dhe është larguar pa probleme nga ndërtesa", thotë roja.
Në deklarimin e vetë Varakut, ai thotë se ishte njoftuar më datë 26 shkurt me email për pezullimin nga detyra dhe emërimin e drejtueses së re. Dera e zyrës së tij ishte e hapur, kurse "sendet personale të mbledhura në qese të zeza mbi tavolinë, pranë së cilës kishte një tufë me lule", thotë ai. Pamja e ka tronditur dhe si pasojë, ka hedhur në tokë lulen pranë së cilës ndodheshin qeset, por ky ka qenë i vetmi send i dëmtuar. Varaku pranon gjuhën fyese duke u justifikuar me gjendjen emocionale, por mohon konfrontimin fizik. Vijimi i dëshmisë përkon me atë të Kapidanit pasi vetë Varaku thotë se është kthyer pas 45 minutash sepse i duhej të rregullonte xhamin e makinës, por s'ka pasur kontakt me ndokënd dhe nuk i ka kërkuar njeri të largohet.
Komente










