Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla zhvilloi takimin e saj të parë në detyrën e re me Ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca. Ky i fundit i uroi kryeparlamentares suksese në detyrën e lartë dhe shprehu vullnetin e Delegacionit të BE-së në Tiranë për të vazhduar e zgjeruar bashkëpunimin me Kuvendin e Shqipërisë.
Nikolla, i shprehu Ambasadorit Soreca mirënjohjen për urimet dhe e siguroi për vullnetin e saj për të thelluar bashkëpunimin me Delegacionin e Bashkimit Europian. “Unë jam e përkushtuar për të krijuar një klimë të re bashkëpunimi e komunikimi në Kuvendin e Shqipërisë. Integrimi europian do të jetë në krye të agjendës së Kuvendit të Shqipërisë gjatë legjislaturës së re. Kam besim se për të gjithë këto punë të mëdha që na presin, do të kemi edhe bashkëpunimin e opozitës dhe unë do të jem lehtësuesja e dialogut dhe komunikimit në Kuvend.”, nënvizoi ajo.
Soreca shprehu kënaqësinë që Kuvendi i Shqipërisë do të drejtohet nga një zonjë dhe nënvizoi se Delegacioni i BE-së ka besim në eksperiencën, reputacionin, kredibilitetin dhe vullnetin Tuaj politik. Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet për fillimin e negociatave, BE është shumë e vendosur për fillimin e tyre dhe Delegacioni do të kontribuojë që Tryeza e Parë Ndërqeveritare të mbahet sa më shpejt.
Disa ditë më parë, kryeparlamentarja zhvilloi një takim me Ambasadoren e SHBA, Yuri Kim.