TIRANË- Sot Sali Berisha shkarkoi Lulzim Bashën me 99% të votave të demokratëve në referendumin e thirrur prej tij, por megjithatë nuk pati guximin për t'u futur brenda selisë blu, aty ky kryedemokrati po mbante mbledhjen me Kryesinë. Berisha gjeti “justifikime” nga më të ndryshmet, “jo ka fikur dritat”, “jo se nuk e dinte që ai ishte brenda”, “jo RENEA në tarracë”, e megjithatë ai u ndalë në shkallët e selisë, i rrethuar nga dhjetëra mbështetës ku shpalli rezultatet e referendumit. Ashtu si 30 vite më parë, edhe rezultatet e këtij referendumi ishte të ngjashme me zgjedhjet në kohën e Enver Hoxhës, ku 99% e atyre që kanë votuar, kanë qenë pro shkarkimit të Lulzim Bashës. Ai nuk nguroi që ta krahasonte Bashën edhe me Ramiz Alinë, duke thënë se pati të njëjtin fat, ku dhe vetë lagjja ku ka lindur, votoi kundër tij.

“Fatin e Ramiz Alisë. Historia përsëritet të dashur miq. Në vitin 1991 kjo lagje ndër më demokratiket e kësaj toke, i rezervoi diktatorit të fundit komunist disfatën turpëruese. (...) Pas 30 vitesh po kjo lagje i rezervon Lulzim bravës, apo Peng Bashës të njëjtin fat me një dallim. Diktatori komunist nuk kishte lindur në atë lagje, kurse Lulzim brava ka lindur aty. Me këto që bën duke marrë peng Lul Bravën, duke ja mbushur tarracën me gardistë dhe RENEA, shndërruan në aset të vërtetë të qeverisë Lul Bravën. I them Ramës se revolucioni po troket në dyert e kalbura të ndërtesës tënde. lëri lojërat dhe mos luaj me pluralizmin politik. (...) Përulem para rreth 44 mijë demokratëve që sot vendosën me votën e tyre në mënyrën më plebishitare largimin e peng, jo Basha por Brava ik nga drejtimi përfundimtar i forcën politike, ky është ndëshkimi më i merituar që një person i denjë për detyrë, që detyrën më të lartë e shfrytëzon për pazare personale”, tha Berisha.

Berisha ka bërë të ditur se të hënën e 20 Dhjetorit do të zhvillohet protesta e parë kombëtare. Ai u shpreh se qytetarët do të protestojnë përpara Kryeministrisë dhe tubimi do të nisë në orën 16:00. Berisha u shpreh se qytetarët do të presin ashtu siç e meriton Aleksandër Vuçiçin, i cili vjen në Tiranë në kuadër të Open Balkan.

“Ditën e hënë në ora 16:00 të mblidhemi përpara Kryeministrisë dhe në këtë shesh në protestën e parë kombëtare të shpallur. Duhet ta pranoj, jashtë parashikimit si kohë, por rrethanat dhe zhvillimet e bënë të nevojshme. Sllobodani i ri, ish-Gebelsi i Millosheviçit do të pritet ashtu siç e meriton, me protesta”, shtoi ish-kryeministri.

Ndërkohë, ai ka pranuar se nuk ka pasur asnjë komunikim më asnjë nga ambasadorët e huaj në vendin tonë, pasi aksionit politik që ka zhvilluar që kur u përjashtua nga grupi i PD-së.

“Me përfaqësitë e huaja nuk kam pasur komunikim direkt”, tha Berisha.

Megjithatë, përtej triumfit të pretenduar nga Berisha, Basha i “ka prerë krahët”, duke thënë se nuk njeh asnjë referendum.

"Ka vetëm një PD, që ka pasur një Kuvend sot. Të tjerat janë përpjekje personale për të bërë demokratët mish për top. Nuk i kam dëgjuar deklaratat e tij se ai ka vendosur interesat e veta mbi demokratët."-tha Basha.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:39
Berisha e pranon: Nuk kam pasur asnjë komunikim me asnjë nga përfaqësitë e huaja në vend

 

Sali Berisha ka pranuar se nuk ka pasur komunikim me asnjë nga përfaqësitë e huaja në vend.

“Në linja partiake mund të them se kam komunikim dhe në nivele edhe ndër më të larta, në krahun konservator. Me përfaqësitë e huaja nuk kam pasur komunikim direkt, kemi shpërndarë një neës letër për të gjitha përfaqësitë, si forcë politike opozitare e qendrës së djathtë lidhjet i kemi të fuqishme me forcat konservatore në Europë e botë”, tha Berisha.

Ora 21:27
Berisha: Çdo ditë do jemi në selinë e PD, Basha s'njeh as veten! Do organizojmë protesta kombëtare

 

Ish-kryeministri Sali Berisha pas numërimit të votave pro shkarkimit të Lulzim Bashës, i bëri thirrje deputetëve që të marrin procesverbalet dhe të verifikojnë numrin e votuesve nëse duan. Berisha i bëri thirrje deputetëve që të mos bëhen pjesë e asnjë skenari të peng kryetarit Basha. Ndër të tjera ai i bëri thirrje Edi Ramës që të ndalë lojërat pasi revolucioni po troket në dyert e kalbura të qeverisë. Sakaq, ish-kryeministri tha se çdo ditë do jetë në selinë e PD dhe do të bëjnë protesta kombëtare pasi Basha nuk njeh as veten e tij.

"Të mos bëhen instrumenta të një skenari të turpshëm. I di qëndrimet e tyre. Merrni përgjegjësitë politike. Ky është skenar. Destabilizues për vendin. Edi Rama të jetë i bindur se kurrë këtë revolucion s'do mund ta ndalojë e ta mmposhtë. Me këto që bën duke marrë peng Lul Bravën, duke ja mbushur tarracën me gardistë dhe RENEA, shndërruan në aset të vërtetë të qeverisë Lul Bravën. I them Ramës se revolucioni po troket në dyert e kalbura të ndërtesës tënde. lëri lojërat dhe mos luaj me pluralizmin politik.Të hënën do protestojmë, Vuçiç vjen në kuadër të një projekti që është kërcënim kombëtar për shqiptarët, paqen dhe stabilitetin. Ne do qendrojmë fuqishëm dhe do mbrojmë. interesat kombëtare. Basha nuk njeh veten e tij. Do bëjmë protesta kombëtare dhe do ristrukturojmë PD-në. Që nesër ose këto ditë do jemi në seli. Ne tani jemi në seli."-tha Berisha.

Ora 21:10
Imazhi i revolucionit të Berishës! Me kapele dhe 2 gishtat lart, Jamarbër Malltezi pushton kofanon e makinës! Basha: Hipi mbi makinën time, e dëmtoi (VIDEO)

Me kapele dhe 2 gishtat lart, bashkëshorti i Argita Berishës, Jamarbër Malltezi, nuk është përmbajtur kur në selinë e PD-së ka mbërritur vjehrri i tij,  Sali Berisha.

Ai ka hipur mbi makinën e Lulzim Bashës duke thirrur “O Sali, o hero, gjthë Shqipëria ty të do”.

Ky është edhe imazhi i plotë i saj që Berisha quan revolucion. 

Në përfundim, Lulzim Basha tha se makina e tij ishte dëmtuar. 

“Pra mund të themi që i vetmi dëm që ka bërë referendumi ka qenë makina ime”. U dëmtua makina e marrë me qira që përdor kryetari i PD-së”, tha Basha.

 

Ora 21:08
Berisha krahason Bashën me Ramiz Alinë: Pati të njëjtin fat si ai, historia përsëritet

 

Teksa para selisë blu po lexohet numri i votuesve pro shkarkimit të Lulzim Bashës, ish-kryeministri Sali Berisha tha se ky i fundit pati të njëjtin fat me Ramiz Alinë. Berisha theksoi se edhe votuesit e lagjes numër 8, kanë votuar masivisht pro shkarkimit të kreut të PD.

“Fatin e Ramiz Alisë. Historia përsëritet të dashur miq. Në vitin 1991 kjo lagje ndër më demokratiket e kësaj toke, i rezervoi diktatorit të fundit komunist disfatën turpëruese.
Pas 30 vitesh po kjo lagje i rezervon Lulzim bravës, apo Peng Bashës të njëjtin fat me një dallim. Diktatori komunist nuk kishte lindur në atë lagje, kurse Lulzim brava ka lindur aty.
Pra e denatyralizoi. Ky quhet procesi i denatyralizimit që i bënë qytetarët e lagjes numër 8”, tha Berisha.

Ora 20:50
Sali Berisha vjen në selinë e PD-së, pritet me duartrokitje: 44 mijë shkarkuan pengkryetarin Basha, i padenjë për këtë detyrë

 

Sali Berisha vjen në selinë e PD-së, pritet me duartrokitje. 

"Një përshendetje të përzemërt për të gjithë demokratët të cilët firmosën sot më 18 dhjetor në një akt madhor në një monument madhështor të lirisë së pluralizmit politik referendumin e parë të thirrur nga anëtarësia e një forcë politikë e Shqipërisë, por mundet edhe më gjerë të Europës, ndaj dua të përulem me nderimin më të madh, para rreth 44 mijë demokratëve që sot vendosën me votën e tyre në mënyrën më plebishitare largimin e peng, jo Basha por Brava ik nga drejtimi përfundimtar i forcën politike, ky është ndëshkimi më i merituar që një person i denjë për detyrë, që detyrën më të lartë e shfrytëzon për pazare personale dhe trajton PD si një pronë të tij, po shkruhet një kapitull i ri, ky revolucion nuk ka të ndalur, nuk ka forcë në botë që mund ta ndalë këtë revolucion, jeni dëshmitarë të përpjekjeve të turpshme të narko shtetit kundër këtij akti madhor", tha Berisha. 

Ora 20:33
Basha mbledhje me kryesinë, pritet të shkojë Berisha! Ja çfarë po ndodh në selinë e PD

 

Teksa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po zhvillon mbledhje me Krysinë e PD, pritet që ish-kryeministri Sali Berisha të shkojë në selinë blu. Siç shihet në pamjet e siguruara nga Report Tv, janë të shumtë njerëzit që qëndrojnë përpara selisë. Kryedemokrati para se të niste mbledhjen me Kryesinë tha se nuk e njeh referendumin e Berishën për ta shkarkuar. Sakaq, Berisha pritet të shkojë tek selia e PD për të shpallur rezultatin e referendumit për shkarkimin e Bashës.