TIRANË- Pas largimit të Agron Çelës, që iu bashkua socialistëve, Partia e Lirisë ka zgjedhur Sekretarin Politik të Qarkut të Shkodrës. Ai është Luigj Turmalaj i zgjedhur sot nga Kryesia e kësaj force politike. Prezantimi i tij është bërë nga Ilir Meta, i cili shprehet i bindur në fitoren e 14 majit.
“Kënaqësi e veçantë që Kryesia e Partisë të Lirisë zgjodhi sot ish-Dekanin e UBT, Prof.Dr. Luigj Turmalaj në detyrën e rëndësishme të Sekretarit Politik të Qarkut të Shkodrës. Besimplotë se me angazhimin e intelektualëve të shquar si Prof.Dr Turmalaj dhe të ekipit të mrekullueshëm të Partisë të Lirisë në Shkodër, fitorja në 14 Maj do të jetë e thellë. Prioritet i Partisë të Lirisë janë intelektualët dhe të rinjtë, garancia për Ndryshimin e padiskutueshëm që po afron”, shkruan Meta.
Agron Çela kaloi me Partinë Socialiste, në fund të vitit, ndërsa pak ditë më parë u shfaq edhe krah kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste.
Agron Çela u zgjodh si deputet në zgjedhjet parlamentare të 2021, në të cilat garoi nën siglën e LSI. Çela siguroi 2656 vota preferenciale, ndërkohë është edhe një person me influencë dhe elektorat në Shkodër. Kjo lëvizje shihet edhe si një kartë më shumë për PS-në për të fituar zgjedhjet e 14 Majit. Nga ana tjetër Ilir Meta, kryetar i Partisë së Lirisë në një intervistë për Report Tv, tha se largimi i tij nuk është një humbje e madhe, sepse e konsideron Çelën një deputet që nuk ka votuar kurrë kundër qeverisë.