Pas Llogarasë, ndërtimet pa
leje lulëzojnë edhe në Dhërmi

Pas Llogarasë, ndërtimet pa<br />leje lulëzojnë edhe në Dhërmi
TIRANE - Masakra e ndërtimeve pa leje përgjatë vijës bregdetare që të çon në Jug, nuk ka të ndalur. Gazeta “Shqiptarja.com” denoncon një tjetër ndërtim, me llaç e tulla, që ka dëmtuar peisazhin që të ofron një ndër rrugët më të bukura që të çon drejt plazheve të jugut, e pikërisht pak para se të futesh në Dhërmi, që është edhe destinacioni turistik më i preferuar i të gjithë pushuesve gjatë stinës së nxehtë.

Siç e shikoni edhe nga fotoja që shoqëron këtë shkrim, një lokal i ri, pothuajse ka përfunduar punimet dhe tashmë pronari po pret ti japë dorën e fundit, duke ndihmuar kështu në shkatërrimin e asaj që duhet ta mbrojmë të gjithë.
Banorët e zonës na tregojnë se gjithçka është bërë shpejt e shpejt, dhe brenda dy javësh, ky rrip toke, nga një fushë e vockël që ndodhej në këtë kthesë, është shndërruar në një tjetër masë betoni, që pronari i tokës do ta kthejë në lokal.

Me sa duket edhe në këtë rast pronari i tokës ka përfituar nga situata zgjedhore, kur të gjithë ishin të fokusuar tek zgjedhjet dhe ka nisur punimet në mënyrë urgjente për të ngritur lokalin, që shpreson t’i mbushë xhepat. Dhe brenda dy javësh, ia ka arritur që të shëmtojë pamjen e mrekullueshme që të ofron natyra afër fshatit të Dhërmiut, duke i shtuar një tjetër lokal vijës bregdetare të kësaj zone.

Pasi punimet janë kryer me vrull dy javët e para, tashmë pas zgjedhjeve, edhe pronarët sikur kanë rënë në qetësi dhe po bëjnë me nge punimet brendshme të lokalit, të cilin ata, duke u nisur nga pamja e bukur që ofron, shpresojnë ta kthejnë në një vend që të tërheqë sa më shumë pushues. Banorët e zonës pretendojnë se ndërtimi është pa leje dhe i zoti i tokës është mjaftuar vetëm me faktin se po ndërton në pronën e tij, por nuk ka respektuar procedurën e duhur për të aplikuar për leje në komunë dhe për të marrë më pas një ‘ok’ për nisjen e punimeve.

Vetë banorët e zonës, por edhe pushues të shumtë që tashmë kanë nisur pushimet drejt Jugut i bëjnë apel qeverisë, por edhe komunës së Dhërmiut që të pezullojë këtë ndërtim dhe ta shembin atë, duke e kthyer këtë pjesë në gjendjen e saj të mëparshme, një fushë të vockël dhe pa beton. Por sipas tyre, kontrolli duhet të shtrihet përgjatë gjithë vijës bregdetare, duke evidentuar të gjitha rastet e ngjashme flagrante, pasi ky nuk është një rast i izoluar, dhe të marrë masa për ndalimin e betonizimit të bregdetit.

Ata këmbëngulin që qeveria e re që do të krijohet në muajin shtator ta ketë prioritet bregdetin dhe ta ndalojë masakrën mjedisore që e ka dëmtuar rëndë atë. Ndërtimet me leje e pa leje përgjatë vijës bregdetare në vendin tonë janë kthyer në një problem të madh, duke dëmtuar seriozisht natyrën dhe ndotur edhe ujërat në të cilat marrin rreze dhe notojnë gjatë muajve të verës shqiptarët.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 06.07.2013
 
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Serie A/ Lazio dhe Milan barazojnë 2-2, Napoli përmbys 2-1 Parmën në fund! Ramadani dhe Berisha fitojnë derbin me Sherrin

Serie A/ Lazio dhe Milan barazojnë 2-2, Napoli përmbys 2-1 Parmën në fund! Ramadani dhe Berisha fitojnë derbin me Sherrin