Një 36-vjeçar shqiptar është arrestuar në qytetin e Comiso-s në Itali, pasi dyshohet se i ka vënë zjarrin banesës së ish-partneres së tij pas një konflikti që çoi në ndarjen e tyre.
Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë në një apartament në rrugën “Corso Ho Chi Minh”. Sipas hetimeve të karabinierëve, 36-vjeçari, në zemërim e sipër duke mos pranuar ndarjen, ka përdorur benzinë për të ndezur zjarrin, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale në banesë, por edhe rrezikuar jetën e tij dhe të ish-partneres.
Fatmirësisht, flakët nuk janë përhapur në ndërtesat përreth, por mediat në vendin fqinj e kanë përshkruar situatën si shumë të rrezikshme. Si autori i dyshuar, ashtu edhe ish-partnerja e tij, kanë pësuar djegie dhe helmim nga monoksidi i karbonit. Të dy janë dërguar në spitalin Ospedale Guzzardi, ku morën trajtim mjekësor dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Pas daljes nga spitali, shqiptari është transferuar në burgun e Raguzës, ku ndodhet në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane.
Autoritetet italiane kanë theksuar se po vijojnë angazhimin e tyre në luftën kundër dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave.
Komente










