Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Geron Kamberi, tha të hënën se marrëveshja historike tregtare mes BE dhe Indisë, e arritur pas gati dy dekadash negociata, duhet parë në kontekstin e tensioneve që janë krijuar në marrëdhëniet SHBA–BE pas ardhjes në pushtet të president Donald Trump.
Duke folur në emisionin “Bota Report” në Report TV, Kamberi theksoi se kjo marrëveshje përfaqëson një përpjekje të Bashkimit Europian për të dalë nga një ngërç marrëdhëniesh, që sipas tij ka qenë i pazakontë, por që ka prodhuar reagime të shumta në arenën ndërkombëtare.
“Në një periudhë tensioni mes marrëdhënieve SHBA-BE pas ardhjes së Trump, jemi përballë faktit që kjo marrëveshje ishte një përpjekje për të dalë nga një ngërç marrëdhëniesh. Ky ngërç ka ngjallur reagime dhe i ka futur marrëdhëniet ndërkombëtare të SHBA dhe vendeve të tjera në një logjikë veprimi dhe kundërveprimi”, tha Kamberi.
Ai kujtoi se marrëdhënia e parë mes Indisë dhe Bashkimit Europian është nënshkruar në vitin 1994, pas shndërrimit të Komunitetit Ekonomik Europian në BE me Traktatin e Mastrihtit. Sipas tij, BE ka ende një marrëveshje për tregtinë ndëratlantike me SHBA, si edhe marrëveshje ose diskutime në vijim me Kanadanë, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Kinën.
Kamberi vuri në dukje se Bashkimi Europian mbetet blloku më i madh tregtar në botë, por me kufizime në peshën politike.
“BE është një treg me gati 500 milionë konsumatorë dhe me një PBB rreth 20 trilionë dollarë. Konsiderohet blloku më i madh tregtar, por perceptohet si një gjigant ekonomik dhe një xhuxh politik”, u shpreh ai.
Marrëveshja BE–Indi synon uljen e tarifave doganore dhe zgjerimin e aksesit në treg për të dyja palët. Ajo është cilësuar nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, si më e madhja e arritur ndonjëherë nga BE. Kryeministri indian, Narendra Modi, e ka quajtur historike, pasi krijon një treg prej rreth 2 miliardë njerëzish, që përfaqëson afro 25 për qind të ekonomisë globale.

President Donald Trump ka konfirmuar se do të vizitojë Kinën në prill të vitit 2026, ndërsa presidenti kinez Xi Jinping pritet të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara më vonë gjatë vitit. Sipas Sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent, gjatë vitit 2026 mund të ketë deri në katër takime dypalëshe mes dy vendeve.
Në një intervistë për Report TV, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Geron Kamberi, e lidh këtë zhvillim me mënyrën se si Kina ka ndërtuar fuqinë e saj ekonomike dhe politike ndër vite.
“Gjithçka po ndodh lidhet me një element shumë të rëndësishëm gjeopolitik, gjeoekonomik dhe gjeostrategjik. Kina e përdori ringritjen ekonomike në mënyrë të zgjuar hapjen që u krijua që në vitet ’80 pas diplomacisë së Ping-Pongut në kuadrin e Luftës së Ftohtë. Qytetërimi kinez funksionon ndryshe. Kina u tregua e zgjuar, kapi momentin dhe u shkëput drejt një ngritjeje ekonomike duke sfiduar Perëndimin”, tha ai.
Sipas Kamberit, hyrja e Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë ishte pika e kthesës që i dha Pekinit avantazh të madh ekonomik.
“Pas hyrjes së Kinës në OBT, të gjitha mundësitë u shumëfishuan dhe pati zhvendosje të industrive të caktuara në Kinë. Tani Kina është elefanti në dhomën e diplomacisë botërore, në kuptimin e fuqisë ekonomike. Proteksionizmi ekonomik i Trump, nëpërmjet tarifave doganore, për shumë diplomatë u konsiderua si një mënyrë e paefektshme për kohën që jetojmë”, u shpreh ai.
Kamberi theksoi se Kina po përdor diplomacinë ekonomike dhe fuqinë e butë për të zgjeruar ndikimin global, përmes projekteve afatgjata.
“Kina është përpjekur që qasjen e diplomacisë së saj ekonomike ta mishërojë përmes projektit të Rrugës së Mëndafshit. Në këto 13 vjet, Kina po përpiqet që në politikën globale të përdorë atë që di të përdorë më mirë, pra fuqinë e butë, duke treguar se është e fuqishme financiarisht dhe mund të ndihmojë edhe vende të tjera për zhvillim. Investimet përgjatë Rrugës së Mëndafshit tregojnë se Kina po kërkon ndikim jo vetëm brenda Azisë, por edhe përtej”, tha ai.
Duke komentuar edhe marrëdhëniet Britani e Madhe–Kinë, të nxitura nga vizita e kryeministrit britanik Keir Starmer në Pekin, Kamberi theksoi se ekonomia është faktori kryesor që po i shtyn liderët europianë drejt Kinës.
“Diplomacia ose politika është e përqendruar te ekonomia. E ardhmja politike e çdo lideri në Europë varet nga ekonomia. Ekonomia kineze po udhëheq në shumë drejtime dhe nuk mund të jetë jashtë vëmendjes së liderëve të huaj. Pra ata kanë nevojë për tregun dhe kapitalin kinez, sidomos duke pasur parasysh tensionet me Trump”, tha ai.
Aleanca BE–SHBA, që ka qenë shtylla e Perëndimit për dekada, nuk është më e palëkundshme pas ardhjes së president Donald Trump. Kështu u shpreh eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Geron Kamberi në emisionin 'Bota Report' në Report TV, duke kujtuar se Europa dhe Shtetet e Bashkuara kanë qenë bashkë në të gjitha krizat madhore që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, nga Lufta e Ftohtë te lufta kundër terrorizmit dhe krizat në Afganistan e Irak, por se filozofia e re e politikës së jashtme amerikane ka thyer tabu të vjetra dhe ka shkundur themelet e kësaj marrëdhënieje, duke hyrë në një fazë të re që kërkon kohë për t’u kuptuar dhe për t’u përtypur.
"Marrëdhëniet mes Europës dhe SHBA kanë kushtëzuar gjysmën e dytë të shekullit 20, që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Europa dhe Amerikanë kanë qenë bashkë në shumë kriza duke përballuar Luftën e Ftohtë, shpërbërjen e Bllokut Komunist, shpërbërjen e Jugosllavisë, luftën kundër terrorizmit, krizat në Afganistan e Irak, pra kanë qenë bashkë në shumë sfida e kanë ndarë sukseset dhe dështimet. Ishte një aleancë që mendohej se do të ishte shtylla kryesore e Perëndimit kolektiv. Me ardhjen e Donald Trump u duk sikur po fryn një filozofi tjetër marrëdhëniesh që bëhenme deklarata të hapura e shpesh të pamenduara. Presidenca e Trump ka thyer shumë tabu që ishin të pandryshuara në politikën e jashtme amerikane. Kemi zgjedhjet në mes mandati dhe duhet parë reagimi i elektoratit ndaj politikave të Trump. Do të duhet të presim edhe pak si do jetë reagimi i ëtyre politikave që kanë shkundur themelet në nivelin e një tërmeti për këto marrëdhënie që kanë qenë boshti i aleancës perëndimore. Në histori asgjë nuk është e palëvizjshme. Edhe BE-së do ti duhet pak kohë sa të mësohet me Trump” tha ai.
Komente











