Kushtetuta e përcakton që deputetët pas verës, të kthehen në karriget e ligjvënësit të hënën e parë të shtatorit, por pushimi zyrtar e shtyu nisjen e sesionit të ri parlamentar për të martën e 8 shtatorit.

Fjala e parë i takon kryeparlamentarit Niko Peleshi. Më tej, rendi i ditës përfshin vetëm çeljen e punimeve. Ende nuk dihet nëse kryetarët e grupeve parlamentare do të mbajnë një fjalë.

Nuk dihet nëse kryeministri Edi Rama do të jetë i pranishëm, ndërsa do të mungojë kreu i opozitës Sali Berisha që ka udhëtuar për në Konventën e Republikanëve në Shtetet e Bashkuara.

Sipas burimeve, në nisje të seancës do të jetë gati edhe dekreti i Presidentit për ministren e re të shëndetësisë Klodiana Spahiu. Kjo do t’i hapë rrugë betimit të saj në parlament e propozimit të një tjetër emri nga radhët e socialistëve si nënkryetar Kuvendi, detyrë që sesionin e shkuar e mbajti ministrja e re.

Sesioni i ri do të rikthejë para Kuvendit edhe Revolucionin e Flamingove. Qytetarët që protestojnë në shesh prej afro 100 ditësh kanë paralajmëruar se do t’i presin me protesta deputetët, ndaj policisë i duhet sërish të krijojë perimetrin që ligjvënësit të kalojnë të sigurt.

Por, edhe brenda sallës tensionet pritet të mos mungojnë as këtë sesion. Gushti u trazua nga një propozim i socialistëve për të ndryshuar hartën territoriale e për të ulur ndjeshëm numrin e bashkive, nga 61 në 46. Ndërsa pezull është reforma territoriale ku palët nuk kanë asnjë produkt konkret dhe puna duket pa ritëm.

Zgjedhjet e ardhshme lokale, ato të pranverës 2027, pritet të jenë një nxitje e fortë politike për debate e përplasje të ashpra në parlament. PS duket se ka filluar përgatitjet që në ditët e para të shtatorit, duke u përpjekur të afrohet më shumë me qytetarët përmes mekanizmave si “Besa” apo “Prania Besnike”, ndërsa edhe PD siç ka deklaruar vetë Berisha, do t’i nisë përgatitjet këtë muaj.