TIRANË- Pas ankesave të ardhura për kandidatët, Byroja Kombëtare e Hetimit ka rishikuar edhe njëherë përgjigjet, ku rezultoi se një kandidat është skualifikuar padrejtësisht. Sipas BKH-së skualifikimi i kandidatit erdhi si pasojë e një gabimi njerëzor, teksa shtojnë se do të rikthehet në garë.

Pas testit fizik kandidati do t'i nënshtrohet edhe Testit të Shkrimit të Esesë. Në reagimin zyrtar, BKH nuk jep emër se për cilin kandidatë bëhet fjalë, nëse është një nga 8 kandidatët që kanë ngritur padi ose jo. Megjithatë theksohet se pjesa tjetër e përgjigjeve është korrekte. 

"Komisioni i Përzgjedhjes me qëllim përmbushjen në mënyrë të saktë, të drejtë dhe transparente të detyrave që vijnë me rolin e tij në procesin e rekrutimit të hetuesve të BKH-së,  si dhe pasi mori disa ankesa prej kandidatëve, ka kryer rishikimin e të gjithë dokumentacionit të kandidatëve të cilët morën pjesë në testin e aftësive fizike.

Prej këtij rishikimi të dytë të proces-verbaleve rezultoi se, si pasojë e një gabimi njerëzor, një kandidat i vlerësuar me pikë të mjaftueshme kualifikuese është vendosur gabimisht në listën e të skualifikuarve në programin Excel gjatë përpunimit të të dhënave prej Sekretarisë Teknike. Si pasojë, kandidati nuk është ftuar në fazën tjetër të rekrutimit. Në këto kushte, dhe në përputhje me parashikimet e Rregullores, kandidati i përmëndur më lart i nënshtrohet Testit të Shkrimit të Esesë. Të gjitha rezultatet e tjera janë konfirmuar të sakta.

Rregullorja në fuqi, e miratuar prej BKH-së, parashikon rregulla të qarta dhe të detajuara për vlerësimin e kandidatëve për hetues në BKH. Komisioni i Përzgjedhjes është tërësisht i angazhuar të zbatojë kërkesat e Rregullores nëpërmjet një procesi të drejtë dhe transparent. Të gjithë hapat e procesit të rekrutimit po monitorohen prej një Komisioni Ndërkombëtar për të siguruar ruajtjen e standardeve me të larta", njofton BKH.

Ndërkohë për këtë ka reaguar dhe ambasadorja amerikane Yuri Kim përmes një postimi në Twitter. Ajo shkruan se BKH po siguron transparencë dhe integritet në procesin e përzgjedhjes dhe kontrollin e kandidatëve.

"Ne e përshëndesim njoftimin e BKH-së se ajo ka shqyrtuar rezultatet e testit dhe ka korrigjuar një gabim. Sinjal i fortë se BKH po siguron transparencë dhe integritet, praktikon kontrollin e cilësisë dhe po merr përgjegjësi për veprimet e tij. Kjo si duket reforma e vërtetë!" - shkruan Kim në Twitter.

Në drejtim të BKH-së janë ngritur padi nga 7 prej kandidatëve të cilët kanë marrë pjesë në procesin e zgjedhjeve për hetues pranë këtij institucioni. Sipas pretendimit të 7 oficerëve të skualifikuar, zyrtarët kanë falsifikuar procesverbalin e garës fizike, faza e tretë e përzgjedhjes. Ata thonë se kanë fituar testin fizik disa oficerë që nuk kanë arritur parametrat kohore të garës. Ndërkohë një tjetër padi është ngritur nga një tjetër kandidat i cili thotë se procesi duhet pezulluar pasi sipas tij, ai thotë se nuk ka pasur transparencë në përllogaritjen e pikëve në testin fizik, e cila përkon me fazën e tretë të përzgjedhjes së kandidatëve për hetues pranë byrosë.