TIRANË-  Kur kanë mbetur 2 ditë nga zhvillimi i Samitit të BE-së në 6 dhjetor, Sali Berisha është ende i paqartë se ku do ta zhvillojë protestën, në Bulevard apo jashtë perimetrit të sigurisë. Në një dalje paradite Berisha zbuti tonet dhe për herë të parë s’këmbënguli që protesta të zhvillohet në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’.

Në asnjë moment të fjalës së tij nga selia blu, Berisha nuk artikuloi fjalën ‘bulevard’, siç kishte bërë më herët, por ai tha se demokratët do të protestojnë në “qytet” në “shesh”, janë “zotër në zona të tjera”.

“Nuk ka rrugë që mund të bllokohet përveç zonës se ku mblidhen që ne nuk kemi ndërmend, jemi më të interesuar se Edi Rama për sigurinë e lidershipit europian dhe mbarëvajtjen e samiti, përndryshe ne jemi kudo zotër të qytetit në zona të tjera, mjerë Rama dhe Cuci dhe i them Ramës demokratët protestojnë në qytet, në shesh, por e dinë mirë që burimi i të zezave është në Surrel. Aty burojnë të zezat e këtij vendi, por prap vendimi është për të protestuar në qytet. Policia nëse është e porositur që të përballet me opozitën bën zgjidhjen e gabuar, opozita nuk ka betejë që nuk fiton”, tha Berisha.

Por në një dalje pasdite, ish-kryeministri tha se do të protestojnë në Bulevard dhe se masat e sigurisë sipas tij nuk ekzistojnë, por janë thjesht një tmerr i Edi Ramës. Berisha u shpreh se Rama ka frikë se protestuesit i futen në kryeministri dhe e demaskojnë para liderëve europianë.

Këto dy qëndrime të Berishës vijnë një ditë pas paralajmërimit të Policisë së Shtetit, që i përcaktuan atij një “zonë të kuqe” për protestën duke i thënë perimetri i sigurisë është i pacenueshëm.

“Kësaj radhe thjesht ka një zonë të kuqe ku do të zhvillohet samiti dhe s’mund të protestohet. Jashtë kësaj zone ne do të marrim gjithë masat që edhe protesta të zhvillohet”, tha dje ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

“Perimetri i Sigurisë është i pacënueshëm. Siguria e 32 delegacioneve shtetërore me liderët e tyre nga BE dhe e të gjithë personaliteteve VIP na imponon që të vëmë sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare mbi dëshirën gjeografike për të protestuar”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

Policia e Shtetit ka prezantuar masa e marra në kuadër të samitit të BE-së, ku bëhet me dije se zbatimi do të nisë mesdita e së hënës më 5 dhjetor. Të gjitha akset e përcaktuara si perimetër i sigurisë do të jenë të bllokuara për parkimin e automjeteve apo edhe për qarkullimin e tyre.  Lëvizja në këmbe do të lejohet vetëm për banorët rezidentë në ato lagje që përfshihen në perimetrin e sigurisë. (KLIKO KËTU për masat e PLOTA)

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:16
Protesta e 6 dhjetorit, Berisha: Bulevardi është i protestuesve, Rama ka frikë se i futen në kryeministri

1670187694_finalprojekt.00125002.Still007.jpg

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar sërish për protestën. Nga konferenca për mediat, pasi mbaroi procesi i primareve, Berisha tha se Bulevardi do jetë i protestesve, ndërsa shtoi se kryeministri Edi Rama ka frikë se i futen në kryeministri.

“Zona e sigurisë ekziston por jo aty ku thotë Rama. Është një tmerr i tij, ka frikë se i futen në kryeministri dhe do ta demaskojnë para të gjithë europës. Nuk është detyra ime ta çliroj nga frika. Bulevardi është i protestuesve. Protestuesit kanë parasysh se siguria e miqve nuk mund të vihet në diskutim”, tha Berisha.