Samiti i BE në Tiranë, Drejtori i Policisë: Plan të detajuar masash! Nuk refuzojmë protestat por siguria është prioritare mbi preferencat gjeografike (Të Berishës)

Policia e Shtetit garanton të drejtën për të protestuar edhe më 6 dhjetor kur do të zhvillohet samiti BE-Ballkani Perëndimor, por garantimi i sigurisë do të jetë prioritar mbi preferencat (kapriçot) për vendin se ku do të zhvillohet protesta nga ana e organizatorëve, Rithemelimit të Sali Berishës.

Ka qenë drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, ai i cili pas takimit me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, doli në një konferencë për mediat për të folur për mbarëvajtjen e Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet në Tiranë më 6 dhjetor.

“Policia e Shtetit nuk ka patur dhe nuk do të ketë asnjë prirje për të ndaluar apo spostuar asnjë protestë, por në këtë rast, siguria e 32 delegacioneve shtetërore me liderët e tyre nga BE dhe Ballkani Perëndimor, e delegacionit të Presidentit të Këshillit, e Presidentes së Komisionit dhe e të gjithë personaliteteve VIP të kategorisë së autoriteteve të larta shtetërore, na imponon që të vëmë sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare mbi dëshirën gjeografike për të protestuar. Policia e Shtetit nuk e ndalon absolutisht protestën e lajmëruar, por garanton mbarëvajtjen e saj jashtë perimetrit të sigurisë, pasi Perimetri i Sigurisë është i pacënueshëm dhe i aksesueshëm vetëm nga pjesëmarrësit në Samit dhe nga gazetarët e akredituar.  Ne kemi besim se arsyeja do të fitojë mbi emocionet e kujtdo dhe jemi të përgatitur për çdo rast kur do të ndodhë e kundërta”, tha Rrumbullaku.

Ai tha se policia ka parë dhe vlerësuar edhe kërkesën për zhvillimin e protestës, për të cilën kemi kthyer një përgjigje ligjore, profesionale në interes të samitit, që është një ngjarje historike, e para në këto 30 vite.

"Edhe në respekt të drejtës për të protestuar kam thirrur organizatorët dhe i kemi sqaruar për detyrimet tona për garantimin e protestës në çdo vend tjetër përveçse në perimetrin e sigurisë. Do të kërkoja mirëkuptimin e qytetarëve që për shkak të masave të sigurisë që do të marrim të na mirëkuptojnë se edhe ky samit është në interes të të gjithë shqiptarëve.", tha ai. 

Kreu i policisë së Shtetit tha se zhvillimi i Samitit të Bashkimit Europian, në Tiranë, tregon më së miri se Shqipëria është vend i sigurt dhe demokratik dhe sipas tij uniformat blu janë të angazhuara me maksimumin e kapaciteteve njerëzore dhe logjistike, për mbarëvajtjen e tij.

“Për të garantuar rendin dhe sigurinë, në rrugëkalimet e delegacioneve dhe në vendin ku do zhvillohet Samiti, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, duke  bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese brenda vendit, me ekspertë të sigurisë së vendeve të BE-së, si dhe me organizatat ndërkombëtare INTERPOL dhe EUROPOL, për shkëmbimin në kohë të informacioneve. Nisur dhe nga përvoja e aktiviteteve shumë të rëndësishme të zhvilluara më parë, Policia e Shtetit ka fituar përvojën e duhur dhe besojmë se edhe në këtë rast, Policia e Shtetit do të tregojë përkushtim dhe profesionalizëm, duke i bërë një shërbim të çmuar imazhit të vendit. Dua të siguroj nxënësit, punonjësit e institucioneve, banorët rezidentë brenda permitetrit të sigurisë, por dhe jashtë tij, se data 6 dhjetor është ditë normale mësimi, pune e aktiviteti të përditshëm, pavarësisht kufizimeve të lëvizjeve në disa akse rrugore, për të cilat Policia e Shtetit ka marrë masa për devijimin e lëvizjeve në rrugë alternative, me qëllim që të mos ketë pengesa për vijimin normal të aktiviteteve gjatë datës 6 dhjetor”, tha Muhamet Rrumbullaku.

Që në 5 dhjetor, ora 14:00, të gjitha rrugët rreth Bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe stadiumit ‘Air Albania’ do të jenë të bllokuara, si masë sigurie e marrë për mbarëvajtjen e ngjarjes historike që do të zhvillohet në Tiranë në 6 dhjetor, Samiti i BE-Ballkani Perëndimor. Në këto akse rrugore, brenda perimetrit të sigurisë do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, ndërsa do të lejohet vetëm lëvizja e banorëve të zonës. 6 dhjetori nuk do të jetë pushim për administratën apo për shkollat/universitetet. Mësimi do të vijojë normalisht si te Shkolla ‘Kosova’, Liceu Artistik, si dhe universitete që janë brenda këtij perimetri. Drejtori i Policisë së Shtetit, Rebani Jaupi, me anë të një konference për mediat, sqaroi dje me detaje se si do të bëhet hyrja.

Kujtojmë se ish-Kryeministri Sali Berisha ka nënvizuar ditët e fundit se më 6 dhjetor, ditën kur të gjithë liderët e Ballkanit do të mblidhen në vendin tonë do të organizojë protestën e radhës, duke thënë se ky do të ishte një rast historik që qytetarët me anë të një proteste paqësore të ngrinin zërin e tyre kundër qeverisjes aktuale. 

 

Harta me rruget e bllokuara

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:11
‘Shtetrrethim’ më 6 dhjetor, si do lëvizet në zonat e sigurisë

 

Duke nisur nga mesdita e së hënës më 5 dhjetor, të gjitha akset e përcaktuara si perimetër i sigurisë do të jenë të bllokuara për parkimin e automjeteve apo edhe për qarkullimin e tyre.  Lëvizja në këmbe do të lejohet vetëm për banorët rezidentë në ato lagje që përfshihen në perimetrin e sigurisë

Masat për garantimin e rendit dhe sigurisë për Samitin e 6 dhjetorit  do të nisin që një dite më parë. Që në  orën 14 të 5 dhjetor, deri në përfundimin e samitit  do të ndalohet  parkimi në disa akse  rrugore si dhe , qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, ndërsa do të lejohet vetëm levizja e qytetarëve që janë banorë, brenda perimetrit të sigurisë.

Perimetri i Sigurisë kap këto akse:

-Bulevardi “Dëshorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te Sheshi “Nënë Tereza”;

-Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit” deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;

-Rruga “Papa Gjon Pali II” nga ETC-RTSH-Stadium;

-Rruga “Dervish Hima”;

-Rruga “Asim Zeneli”;

-Rruga “Themistokli Gërmenji”, pranë rrugës së Elbasanit dhe te kryqëzimi afër rrugës “Papa Gjon Pali II”;

-Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”.

-Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;

-Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe rrugën “Papa Gjon Pali II”;

-Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;

-Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;

-Rruga “Skerdilajd Llagami”

-Rruga “Faik Konica”.

-Ndalim të qarkullimit të automjeteve do të ketë edhe në aksin rrugor;

-Rinas – Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës – Tiranë” – Ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – Rrethrrotullimi i Saukut – Rrethrrotullimi pranë Akademisë së Policisë – Pallati i Brigadave – Rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”.

-Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë - Fushë Krujë – Vorë”. 

Qytetarët do të përdorin rrugë alternative për të hyrë e dalë nga Tirana.

Ndrësa punonjesit e radiotelevizionit, kryeministrisë kuvendit si dhe gazetarët do të levizin në këmbë dhe ne akset e percaktuara nga policia.

Ora 14:22
‘Kujdes me 6 dhjetor’, Ambasada e SHBA paralajmëron qytetarët për protestën e Berishës: Shmangni grumbullimet

1657196517_ambasadaamerikane.jpg

Ambasada amerikane në Tiranë ka paralajmëruar qytetarët e saj në lidhje me protestën e që do të mbajë Sali Berisha më 6 dhjetor, ditën kur në Tiranë do të mbahet samiti i BE-Ballkani Perëndimor. SHBA u bën thirrje qytetarëve që të shmangin grumbullimet, pasi protestat kanë potencialin të përhapen dhe në rrugët përreth duke shkaktuar bllokime të trafikut, devijime dhe mbyllje shtesë të rrugëve.

“Për shkak të masave të marra në mbështetje të samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë të martën, pritet mbyllje e rrugëve dhe devijime të trafikut përgjatë gjithë ditës në qendër të kryeqytetit dhe në Unazë. Ambasada është në dijeni se mund të ketë një tubim në qendër të Tiranës. Protestat kanë potencialin të përhapen dhe në rrugët përreth duke shkaktuar bllokime të trafikut, devijime dhe mbyllje shtesë të rrugëve.

Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin grumbullimet e mëdha. Edhe pse shumë evente masive zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit”, thuhet në njoftimin e misionit diplomatit të SHBA-së në vendin tonë.

Ora 12:11
Akte dhune më 6 dhjetor? Drejtori i policisë: Garantojmë protestën jashtë perimetrit të sigurisë! Nuk ka asnjë informacion për ngjarje të tilla

 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, ka siguruar se policia do të garantojë mbarëvajtjen e çdo proteste që do të bëhet më 6 dhjetor nga ana e opozitës jashtë perimetrit të sigurisë. I pyetur nëse do të ketë akte dhune ai tha se nuk ka asnjë të dhënë se diçka e tillë mund të ndodhë.

“Garantojmë protestën jashtë perimetrit të sigurisë. Nga ana tjetër nuk ka asnjë lloj informacioni apo deklarate për veprime të dhunshme. Nuk është në interes të askujt për të pasur atë ditë çështje të tilla që i referohu ju. Ne nuk kemi asnjë të dhënë në këtë drejtim. Nuk ka çështje të tilla të shfaqura në publik dhe opinion.

Ora 12:07
Samiti i BE, Ministri i Brendshëm: Protesta e Berishës vetëm jashtë perimetrit të sigurisë 

 

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka zhvilluar sot një takim me kreun e Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku lidhur me masat e sigurisë për mbarëvajtjen e Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet në Tiranë më 6 dhjetor. Në një komunkim me mediat, Çuçi tha se kjo është ngjarja diplomatike më e madhe që ndodh në Tiranë. 

“Ju garantoj që cdo gjë do të shkojë më së miri. Jemi plotësisht të përgatitur tamam si një vend europian”, deklaroi Çuçi. 

Lidhur me protestën e paralajmëruar nga grupime politike të opozitës, Ministri i Brendshëm tha se ajo do të lejohet jashtë perimetrit të sigurisë ku do të zhvillohet samiti. 

“Ne asnjëherë s’kemi qenë kundër protestave, gjithmonë e kemi garantuar të drejtën kushtetuese për të protestuar. Kësaj radhe thjesht ka një zonë të kuqe ku do të zhvillohet samiti dhe s’mund të protestohet. Jashtë kësaj zone ne do të marrim gjithë masat që edhe protesta të zhvillohet”, deklaroi Ministri i Brendshëm.

K.T.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vertet?: 04/12/2022 08:15

    Beni mire qe e injoroni ate Drejtorin e Policise se Tiranes. Nje skuth 24 karat qe sponsorizohet nga krimi. Pyesni cfare e lidh ate me vellezerit Kuci me disa vrasje ne kurriz. Po e theksoj VRASJE.

    Përgjigju
  • jani: 04/12/2022 01:08

    sali kerma te shkoje ta beje protesten ne kamez,,,ose ne bathore ,,,,je non-grata ne tirane sali maloku......

    Përgjigju
  • Iris: 04/12/2022 00:27

    Ne mos gaboj,u tha se do te ishin te pranishem 1500 police.Per mendimin tim,per 32 delegacione plus protesta jane te pamjaftueshem,aq me teper qe s'dihet si do te jene veprimet e protestuesve.Duhen forca rezerve te tjera.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë