TIRANE- Sipas disa informacioneve, në Uzinën kimike të ushtrisë në Mjekës të Elbasanit  duet të jenë demontuar tashmë një sasi predhash me origjinë nga Serbia, të mbushura me lëndë helmuese luftarake, pra që plotësojnë kushtet për klasifikimin si armë kimikë. Kjo ka ndodhur gjatë kohës kur ministër ka qenë Arben Imami dhe me urdhë direkt të tij.
Por, a është vërtet Mjekësi vendi ku do të demontohen armët siriane? Të paktën deri tani, ai mund të shërbejë si pikë grumbullimi. Por ajo që mbetet një pikëpyetje e madhe është: çfarë do t’i kërkohej, asgjësimi i këtij potenciali apo thjesht vendosja e truallit në dispozicion? Më tej, specialistët ngrenë pyetjet: fjala është për lëndë helmuese luftarake apo armë kimike? Do jenë të vendosura në konteinierë apo në municione? Çfarë sasie do sillet konkretisht? Dhe, më në fund, çdo bëhet me toksinat që do dalin nga procesi?

Të gjitha këto pyetje janë shtruar edhe nga specialistët e kimisë ushtarake dhe toksikologët në emisionin “Urbanika” në TV A1 Report.
Problem është fakti që në strategjinë e sigurisë kombëtare nuk ka asnjë fjalë për sigurinë kimike dhe për sektorin e mbrojtjes antikimike, në ministrinë e Mbrojtjes është vetëm një oficer i ngarkuar me detyrën përkatëse.

“Ne s’kemi laborator për kastravecat, na e gjeti Mali i Zi substancën e dëmshme. Po ato materiale të rënda do prodhojnë gazra, materiale të rënda toksike. Qeveria jonë duhet të kërkojë të asgjësohet gjithçka” deklaroi kolonel Pëllumb Zaimi, pedagog i Akademisë Ushtarake. Sipas tij, më mirë do të ishte të merrej një vëzhgues i huaj për procesin në tërësi. Shyqyri Kondi, inxhiner kimist, u shpreh se "potenciale në Shqipëri nuk ka”, ndërkohë që sipas Dilaver Goxhajt, qeveria duhet të pyesë popullin para se të marrë një vendim.

Shkrimi u publikua sot (7.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)