Koloseu i lashtë i Romës, ku dikur gladiatorët shqyheshin nga kafshët e egra nën brohoritjet e turmave, nuk ka qenë kurrë sinonim i sigurisë. Edhe në letërsi, heroina e Henry James, “Daisy Miller”, vdes nga malaria pasi sëmuret gjatë një vizite natën, nën dritën e hënës, në amfiteatër.
Sot, megjithatë, rreziku ka marrë një formë shumë më moderne. Në korrik, një grup prej rreth 50 të rinjsh sulmoi policinë, duke përdorur edhe fishekzjarrë dhe duke lënë disa efektivë të plagosur. Autoritetet thonë se incidenti ishte pjesë e një vale në rritje të kriminalitetit në zonën historike.
Në përpjekje për të frenuar problemet e sigurisë rreth Koloseut, autoritetet e Romës e kanë shpallur zonën përreth tij “zonë të kuqe”. Masa nënkupton dislokimin e forcave shtesë të sigurisë, me kompetenca më të gjera për të mbrojtur banorët dhe turistët. Autoritetet thonë se problemet e fundit lidhen me “krimet grabitqare dhe trafikun e drogës”, të favorizuara nga degradimi urban.
Masa hyri në fuqi në fund të gushtit dhe do të qëndrojë në fuqi deri më 24 dhjetor.
Forca shtesë sigurie janë vendosur gjithashtu pranë stacionit kryesor hekurudhor Termini, Bazilikës së Shën Pjetrit dhe Bazilikës Santa Maria Maggiore, ku numri i vizitorëve është rritur që kur Papa Françesku u varros atje në prill të vitit 2025.
Në “zonën e kuqe”, prania e policisë lokale do të përforcohet 24 orë në 24, krahas pranisë së ushtrisë. Forcat e Armatosura italiane mbrojnë prej kohësh atraksionet turistike me fluks të lartë vizitorësh, me barriera dhe pika të përkohshme kontrolli. Por duket se as efektivët e armatosur, të veshur me uniforma kamuflazhi dhe të shoqëruar nga automjete ushtarake, nuk kanë mjaftuar për të frenuar hajdutët dhe autorët e krimeve të vogla.
“Siguria këtu është e lartë, por sapo pashë një grua që u bë viktimë e një hajduti xhepash”, tha për CNN të martën pasdite Janelle Triton, një turiste amerikane nga Filadelfia që po vizitonte Koloseun.
Sipas saj, hajduti ishte larguar përpara se të njoftoheshin forcat e rendit.
“Hoteli na kishte këshilluar të mos vinim këtu gjatë natës, ndaj e kemi shmangur zonën”, tha ajo.
Përkeqësimi i sigurisë pranë një prej atraksioneve më të famshme të Romës vjen pavarësisht miliona dollarëve të shpenzuar gjatë viteve të fundit për përmirësimin e infrastrukturës. Madje, autoritetet kanë pranuar se disa prej këtyre investimeve mund të jenë duke kontribuar në shtimin e kriminalitetit.
“Emergjencë serioze për rendin publik”
Lamberto Giannini, përgjegjës për sigurinë në Romë, thotë se një nga faktorët që ka ndikuar në shtimin e incidenteve është stacioni i ri i metrosë pranë Koloseut, pjesë e një projekti prej 8.3 miliardë dollarësh për zgjerimin e rrjetit të metrosë së kryeqytetit italian.
Stacioni, i hapur në dhjetor 2025, përfshin edhe një muze nëntokësor në disa nivele, ku ekspozohen objekte arkeologjike të zbuluara gjatë viteve të punimeve për ndërtimin e linjës së re të metrosë.
Por sipas Gianninit, stacioni është shndërruar gjithashtu në një rrugë hyrëse drejt qendrës historike të Romës për të rinj të margjinalizuar, të cilët vënë në shënjestër turistët, por edhe banorët që frekuentojnë zonën pasi vizitorët largohen.
Urdhri për krijimin e “zonës së kuqe”, i firmosur nga Giannini, thekson se masat ekzistuese të sigurisë kanë rezultuar të pamjaftueshme për përballimin e një “emergjence serioze për rendin publik”, e cila paraqet “rrezik për dëme të rënda” në zonat më të ndjeshme.
Me masat e reja, forcave të sigurisë u jepen kompetenca më të gjera për të ndaluar personat e dyshuar se mund të shkaktojnë incidente ose për t'i urdhëruar ata të largohen nga zona.


Komente
Komento