I vetëm në betejën e tij, pasi dyert në KAS e më tej në Kolegjin Zgjedhor iu mbyllën, ish kandidati i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit për qarkun e Durrësit, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me shpresën se aty do të gjejë drejtësi për votat që pretendon se iu morën.

Aulon Kalaja kërkon shpalljen antikushtetues të nenit në Kodin Zgjedhor që i jep të drejtë vetëm partive politike të jenë palë ankimuese pas një procesi zgjedhor, duke e përjashtuar vetë kandidatin.

Logjika e Kalasë, është që nëse një kandidati i krijohet mekanizmi për të ankimuar vetë rezultatin, ai mundet vetë të faktojë më mirë, pa iu dashur vullneti i partisë, nëse i janë tjetërsuar apo jo votat nominale.

“Unë jam këtu sot për të zgjidhur padrejtësinë që më ka ndodhur nga qendra e votimit, nga KZAZ, nga KAS-i dhe Kolegji Zgjedhor. Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet. Unë mund të mos kandidoj më, por do jetë një tjetër kandidat që duhet ta ketë këtë armë. Jam këtu sot për të shfuqizuar këtë nen të Kodit Zgjedhor që i pamundëson kandidatit ankimimin administrativ dhe zgjedhor, dhe ky kod zgjedhor duhet hedhur në kosh të mbeturinave”, tha Kalaja.

Nëse kjo praktikë do të ishte vënë në jetë në zgjedhjet që kaluam, Kalasë do t’i kishte mjaftuar kërkesa individuale për të hapur të gjitha kutitë e qarkut të Durrësit.

Edhe pse ai insistoi gjatë se në çdo kuti votimi ka pasur lëvizje të votave të tij dhe kjo i ka shkaktuar humbjen e mandatit, me kërkesë të PD, u hapën vetëm një pjesë e kutive të votimit për këtë qark, por për ish kandidatin e opozitës qenë të pamjaftueshme për të zbuluar manipulimin e votës.