Kjara Ibraj, fituesja e çmimit të tretë në "Sanremo Junior 2024", u prezantua me një koncert recital në qytetin e Lezhës. 13-vjeçarja u ngjit në skenën e Pallatit të Kulturës me një repertor të pasur muzikor, duke interpretuar me profesionalizëm dhe ndjeshmëri artistike.
Në këtë mbrëmje të veçantë ajo u shoqërua nga mësuesja e muzikës Albana Pervathi, si dhe nga orkestra e harqeve të liceut artistik “Jordan Misja”, të cilët i dhanë edhe më shumë madhështi performancës.
Kjara Ibraj thotë se kishte punuar prej muajsh për këtë koncert recital në qytetin e saj të lindjes dhe se ndihet e lumtur që arriti të përmbushte pritshmëritë e saj.
“Ka qenë një repertor goxha i vështirë dhe ka dalë goxha mirë sipas pritshmërive të mia. Kur pashë sallën plot, ishte shtysë dhe diçka që më bëri edhe më të lumtur që të jepja maksimumin tim te publiku. Ka që në dhjetor që përgatitem, prova çdo ditë, ka qenë një kaos i vërtetë”, u shpreh këngëtarja.
Mësuesja e muzikës Albana Pervathi vlerësoi talentin e 13-vjeçares, duke theksuar se ajo është një këngëtare me shumë të ardhme dhe këtë e dëshmoi edhe në koncert të parë recital.
“Shumë ambicioz si koncert recital. Kjara është një këngëtare me shumë të ardhme, këtë e ka treguar në skena shqiptare e ndërkombëtare”, tha Pervathi.
Koncerti reciltar i Kjara Ibraj zgjati rreth 60 minuta, duke dhuruar emocione të forta për publikun, i cili kishte mbushur sallën dhe e shoqëroi performancën me duartrokitje të shumta.
Komente








